Java politike në Uashington

Një ligjvënës i njohur republikan ka kritikuar ashpër presidentin amerikan Barack Obama për përdorimin e urdhërave ekzekutivë për miratimin e politikat e tij që ndeshin në kundërshtimin e Kongresit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, nuk është e sigurtë në se presidenti do të arrijë t’i miratojë përparësitë e tij për vitin 2014, ashtu siç bëri thirrje në fjalimin mbi gjendjen e vendit javën e kaluar.

Që nga fjalimi i të martës përpara Kongresit, presidenti Obama ka përsëritur vendosmërinë e tij për të ngushtuar hendekun e të ardhurave mes të pasurve dhe të varfërve amerikanë dhe për të ndihmuar klasën e mesme.

“Ka ardhur koha që mundësitë të jenë të barabarta për të gjithë. Nuk ka rëndësi se kush je, në se punon shumë dhe mban përgjegjësitë e tua, mund të arrish atë që do. Kurdo që të kem mundësi do të ndërmarrë hapa për t’i zgjeruar këto mundësi për më shumë familje”.

Tashmë, zoti Obama ka dhënë urdhër ngritje të pagës minimale për ata që punojnë me kontratë për qeverinë federale. Përdorimi i autoritetit ekzekutiv po shkakton reagime të forta nga republikanët, përfshi kongresmenin Paul Ryan i cili e cilëson presidencën e Obamës si “gjithnjë e të paligjshme”.

“Jam i shqetësuar me këtë prirje, me atë që ai tha në fjalimin mbi gjendjen e vendit se në se Kongresi nuk i miraton ligjet që kërkon, ai do ta bëj këtë vet. Kjo nuk është mënyra sesi funksionon kushtetuta jonë".

Republikanët thonë se në vend që të përqëndrohet tek veprimet e njëanëshme, presidenti duhet të mbështesë projektligjet e miratuara tashmë në Dhomën e Përfaqësuesve, siç janë ato për të përmirësuar trajnimin e punëtorëve. Ligjvënësja Susan Brooks:

“Akti i Aftësive do të konsolidonte dhjetra programe trajnimi dhe do të përqëndrohej në programe që funksionojnë. Programet mund të çojnë në punësime”.

Por vetëm një përqindje e vogël e projektligjeve të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga republikanët, miratohen nga senati me shumicë demokrate dhe anasjelltas. Presidenti nuk ka rrugë tjetër por të veprojë vetë kur ka mundësi, thotë udhëheqësi i pakicës në senat, Harry Reid.

“Gjatë viteve që kam drejtuar senatin, ka patur 470 manovra bllokuese nga republikanët. Nuk ka dyshim që presidenti do të kërkojë të veprojë në këto kushte”.

Megjithatë mund të ketë disa bashkëpunime dypalëshe këtë vit. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po shqyrtojnë disa propozime për reformimin e sistemit të imigracionit, një element kryesor i axhendës së presidentit Obama që kur ai mori postin.