Tusk-Trump, duel fjalësh para takimit në Bruksel

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk po i bën thirrje presidentit Donald Trump që të ndalë kritikat e tij ndaj NATO-s në prag të takimit të nivelit të lartë të aleancës në Bruksel. Zoti Trump i ka kritikuar vazhdimisht vendet e NATO-s për kontribut të pamjaftueshëm ushtarak. Komentet e tij të fundit erdhën të martën para se të nisej nga Uashingtoni në Bruksel.

Zoti Tusk e bëri paralajmërimin e ashpër, ndërsa nënshkruante një deklaratë të përbashkët bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“E dashur Amerikë, vlerësoi aleatët e tu – në fund të fundit nuk ke aq shumë – dhe e dashur Evropë, shpenzo më shumë për mbrojtjen sepse gjithkush e vlerëson një aleat që është i përgatitur dhe i pajisur mirë”.

Zoti Tusk i kujtoi Presidentit amerikan se evropianët po shpenzojnë më shumë se Rusia për buxhetet e mbrojtjes dhe po aq sa Kina. Presidenti amerikan, iu përgjigj komenteve të tij, para se të nisej për në Bruksel.

"Ne kemi shumë aleatë, por nuk mund të lejojmë që të përfitojnë nga ne. Bashkimi Evropian po përfiton nga ne. Vitin e kaluar ne humbëm 151 miliardë dollarë në tregëti. Dhe përveç kësaj, ne shpenzuam të paktën 70 për qind për NATO-n. Dhe i ndihmon ata më shumë se ne. Prandaj do të shohim se çdo të ndodhë. Do të kemi një javë të gjatë të bukur”.

Që kur mori detyrën në vitin 2017, zoti Trump ka rikonfirmuar angazhimin amerikan ndaj aleatëve të NATO-s, por ka vazhduar të kritikojë kontributet financiare ndaj aleancës. Edhe sot para se të nisej, ai tha se Uashingtoni po mban barrën më të rëndë financiare.

“NATO-ja nuk ka qenë e drejtë me ne. Ne paguajmë shumë më tepër dhe ata paguajnë shhumë më pak se ç’duhet, por do ta zgjidhim. Dhe të gjitha vendet do të mbeten të kënaqura”.

Ekspertët druhen se Presidenti Trump do të vazhdojë të mbajë qëndrim të ashpër ndaj aleatëve.

“Ata kanë qenë të shqetësuar që nga dita e parë e presidencës, se ai ka si synim të sabotojë Bashkimin Evropian, se ai është armiqësor ndaj BE-së dhe ku përbën një rrezik ndaj tyre. Ai ka bërë gjithashtu komente negative ndaj NATO-s dhe aleatët tanë dhe për Evropianët ky është një kërcënim për paqen dhe sigurinë e tyre”, thotë James Goldgeier, studies në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë.

Samiti i ardhshëm i NATO-s të mërkurën dhe të enjten është takimi i parë i madh që nga ai i Grupit të Shtatëshes në Kanada muajin e kaluar.

Zoti Goldgeier thotë se shumë në Evropë presin një version të asaj që ndodhi atje, ku zoti Trump nuk e mbështeti deklaratën përfundimtare të grupit dhe kritikoi kryeministrin kanadez Justin Trudeau si "shumë të pandershëm dhe të dobët".

“Ai shkoi në G7 dhe u takua me partnerët tanë më të afërt. Pastaj në ikje, i kritikoi ata dhe pastaj pati takimin e ngrohtë me Kim Jong Unin dhe kështu pyetja është, a do të ketë një përsëritje të të njëjtën situate ku zoti Trump përplaset me aleatët dhe pastaj shkon në Helsinki dhe takohet me Putinin dhe sillet ngrohtë me të, ashtu si me Kim Jong Unin?”

Zoti Goldgeier i referohet takimit të nivelit të lartë Trump-Putin që do të mbahet më 16 korrik në Helsinki, ndalesa e tij e fundit në turneun evropian. Vetë Presidenti Trump tha sot se nuk mund të thotë ende nëse zoti Putin është mik apo armik.

“Unë e shoh Presidentin Putin si konkurrent. Mendoj se të shkosh mirë me Rusinë, me Kinën, me të tjerët është diçka e mirë, jo e keqe."

Para se të takohet me zotin Putin, Presidenti Trump shkon në Britani, ku do të takohet me Kryeministrin Theresa May dhe Mbretëreshën Elizabetë II.