Turqi: Pritet të rritet numri i viktimave në minierë

Një kompani minerare turke mori në mbrojtje punën që ka bërë për masat e sigurisë, mes kritikave në rritje pas një shpërthimi dhe zjarri në një minierë qymyri në Soma që la më shumë se 280 të vdekur.

Pronari i kompanisë Soma Holding, Alp Gurkan, tha sot se kompania e tij ka bërë mjaft shpenzime për të shmangur aksidentet. Por ai pranoi se kompania kishte hequr dhomën e vetme të sigurisë që kishte miniera.

Dhoma ishte e pajisur me një depozitë oksigjeni që mund të furnizonte deri në 500 minatorë në rast aksidenti.

Ministri turk i enegjitikës thotë se maksimumi 18 njerëz janë ende të bllokuar brenda minierës së qymyrit në qytetin Soma pas një shpërthimi elektrik dhe zjarrit që kanë lënë më shumë se 280 minatorë të vdekur.

Ministri turk Taner Yildiz tha sot se zyrtarët presin që numri përfundimtar i viktimave nga aksidenti të arrijë në rreth 302 vetë. Nuk është e qartë nëse njerëzit e bllokuar në minierë janë ende gjallë.

“Besojmë se nuk ka më shumë se 18 minatorë të bllokuar në thellësi,” tha ministri.

Ministri Yildiz tha se të dhënat ishin bazuar në njoftimet e familjeve të minatorëve dhe të informacionet nga kompania që drejton minierën.

Shpërthimi i transformatorit elektrik në Soma ka shkaktuar tragjedinë më të rëndë ndonjëherë në industrinë e minierave turke.

Një zjarr që ende vazhdon brenda minierës prej disa ditësh ka penguar përpjekjet për të kërkuar për të mbijetuarit. Pothuajse dy ditë kanë kaluar qëkur janë nxjerrë të mbijetuar.
Zyrtarët thonë se pjesa dërmuese e minatorëve humbi jetën si rezultat i helmimit nga shpërthimi i gazeve. Zyrtarët qeveritar dhe kompania minerale thonë se afro 450 minatorë janë shpëtuar.

Ndërkohë, turqit janë zemëruar pasi një gazetë publikoi një foto ku shihej një ndihmës i kryeministrit që shqelmonte një burrë që protestonte lidhur me katastrofën në minierë edhe mbahej i shtrirë përtokë nga policia. Incidenti ndodhi të mërkurën në Soma gjatë vizitës së kryeministrit Recep Tayyip Edogan ndaj të cilit janë hedhur shumë kritika lidhur indiferencën që ka treguar mbi aksidentin në minierë.