Gjatë javëve të fundit, qindra turkmenë shiitë janë larguar nga qyteti Amerli duke kërkuar strehim në qytetin verior Kirkuk. Pavarësisht nga disa fitore të fundit ushtarake si pasojë e goditjeve ajrore amerikane në koordinim me forcat irakiane dhe kurde, situata vazhdon të jetë e vështirë për banorët e Amerlisë.
Rreth orës 01:30 të mëngjesit të së dielës, SHBA filluan bombardimin e pozicioneve të Shtetit Islamik rreth qytetit Amerli, me rreth 15 mijë turkmenë shiitë, të rrethuar nga militantët prej mëse dy muajsh.
Deri në drekë, sulmet ajrore të koordinuara me milicinë lokale, forcat kurde peshmerga, dhe ushtrinë irakiane, u duk se fillimisht patën sukses.
Në mesditë telefonoi Ali Ibrahim, një polic turkmen që lufton në Amerli.
“Grupi ynë ka kapur fshatin. Rruga është e hapur, shpresoj të hapet plotësisht në pak minuta.”
Më pas në sfond nisën të dëgjoheshin krismat e armëve dhe zëri i tij që thoshte “Ata kanë hyrë në qytet dhe po lëvizin përpara.”
Ali al-Bayati, që u largua nga qyteti Amerli në fillim të muajit, foli fjalë inkurajuese në telefon. Si shumë të tjerë që janë strehuar me familjet e tyre në Kirkuk, ai shpreson se ndoshta mund të kthehet në shtëpi së shpejti.
Mohammed Hamid dhe nëna e tij u evakuan nga ajri ditën e shtunë. Ai përshkruan se si ishte jeta e tyre nën sulmet e vazhdueshme të Shtetit Islamik.
“Gratë shtatëzëna nuk lindnin dot pasi nuk kishte mjekë; pra, nënat vdisnin me fëmijën ende në bark.Na duhej pastaj t’u bënim varrimin. Një grup që po qëndronte tek pragu u godit nga një mortajë që i vrau të gjithë.”
Pasi militantët e Shtetit Islamik prenë energjinë dhe ujin, banorëve të Amerlisë iu desh të mbijetonin me ujë pusi të kripur që e ftohnin duke e lënë në hije. Temperatura që arrin 50 gradë celcius e ka mbuluar me flluska trupin e Mohammedit.
“Të gjithëve na ishte bërë trupi kështu prej nxehtësisë.”
Amel Akram Khorshid u shpëtua tre ditë më parë nga një helikopter i ushtrisë irakiane. Ajo i mbante fëmijët e saj gjallë duke u dhënë qepë si ushqim tre herë në ditë.
“Hanim vetëm bukë dhe qepë. I piqja qepët direkt në zjarr dhe u hidhja pak kripë. Pastaj ua jepja fëmijëve. Nuk kishim tjetër.”
Për Amelën, Mohammed-in dhe familje të tjera të zhvendosura, suksesi ushtarak irakian dhe kurd në Amerli është lajm i mrekullueshëm. Por, megjithëse rrethimi i Shtetit Islamik mund të jetë thyer, kriza humanitare vazhdon dhe mijëra njerëz nuk kanë mundësi të largohen.