Akuzat për korrupsion, shqetësim për qeverinë turke

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan bëri vizitën e tij të parë në Bruksel pas 5 vjetësh, por në vend që të vinte në vijë përpjekjet e vendit për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian, vizita e tij u mbizotërua nga shqetësimet e BE-së lidhur me shkarkimin e policëve si dhe të prokurorëve, që hetojnë akuzat për korrupsion në nivelet e larta të qeverisë. Me afrimin e zgjedhjeve, skandali në rritje kërcënon arritjen më të madhe të kryeministrit: zhvillimin e pashembullt ekonomik të vendit. Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Kompania Erensan ka qënë shumë e sukseshme gjatë qeverisjes 10-vjeçare të kryeministrit Erdogan, kohë gjatë së cilës ekonomia turke është trefishuar. Por për drejtorin ekzekutiv të kompanisë Erensan, Ali Eren, thellimi i konfliktit mes qeverisë dhe juridikut lidhur me akuzat për korrupsion është negativ për biznesin.

"Shqetësimi ynë më i madh është se ky konfrontim mund të çojë në shkatërrimin e plotë të sistemit shtetëror, gjë që do të pasohej me shkatërrimin e biznesit dhe të jetës sonë të përditshme, madje mund të ketë edhe kaos. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë, por rreziku ekziston, ndërkohë që shqetësimi është i madh prandaj njerëzit nuk marrin vendime të rëndësishme biznesi".

Turqit bombardohen me reklama të shtetit lidhur me projekte të ndryshme ndërtimi, si diga, një urë e re apo aeroporti më i madh në botë. Analisti politik, Çengiz Aktar në Qendrën e Politikave të Stambollit pranë Universitetit Sabançi, thotë se bumi i ndërtimeve është kyç për suksesin në zgjedhje të qeverisë.

"Faktori krysor i mrekullisë ekonomike ose bumit ekonomik në Turqi ka qënë dhe është industria e ndërtimit. Kjo qeveri u ka ofruar qytetarëve dy çelësa: një për makinën dhe një për shtëpinë, prandaj njerëzit janë shumë të gëzuar. Por akuzat për korrupsion janë thuajse të gjitha të lidhura me shkelje në industrinë e ndërtimit".

Prokurorët kanë implikuar disa prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në Turqi për lidhje të ngushta me qeverinë. Shumë prej hetimeve janë të lidhura me projekte të mëdha banimi në mbarë Stambollin.

Të gjitha kanalet televizive në Turqi bombardohen nga reklamat për projektet më të fundit të banimit në Stamboll. Ky bum ka sjellë zhvillim ekonomik, por tani që ka më shumë se 300 mijë banesa të pashitura vetëm në Stamboll dhe 300 mijë të tjera në ndërtim, fjala "flluskë" po dëgjohet gjithnjë e më shumë. Inan Demir, krye-ekonomist i bankës Finansbank me bazë në Turqi paralajmëron se akuzat për korrupsion mund të përbëjnë probleme financiare për disa kompani.

"Disa prej kompanive të ndërtimit, që janë implikuar në hetimet për korrupsion, mund të përballen me pengesa për të marrë kredi për shkak të publicitetit negativ rreth tyre. Është me rëndësi të theksohet se shumë prej projekteve të mëdha që këto kompani kanë ndërmarrë financohen nga institucione jashtë vendit sepse sistemi bankar i Turqisë nuk është aq i madh sa të mbështesë projekte të tilla".

Duke iu shtuar problemeve të Turqisë, vlera e monedhës së vendit ka rënë në nivelin më të ulët, ndërsa investitorët e huaj përpiqen të largohen. Edhe besimi i konsumatorëve pësoi një rënie të madhe këtë muaj. Zgjedhjet që po afrohen krijojnë një gjendje pasigurie. Në mars zhvillohen zgjedhje të rëndësishme lokale, të pasuara nga zgjedhjet presidenciale në verë.

Shumë analistë parashikojnë se zhvillimi ekonomik për këtë vit do të jetë më pak se 2 për qind krahasuar me 10 për qind para 2 vjetësh. Analistët paralajmërojnë se qeveria mund të paguajë një çmim të lartë në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas anketave të opinionit, partia në pushtet AK gëzon mbështetje të madhe, ndërkohë që parashikohet të ngrihen më shumë akuza për korrupsion para zgjedhjeve lokale dhe presidenciale. Me këtë pasiguri politike dhe ekonomike, për herë të parë në një dekadë vëzhguesit thonë se partitë e opozitës besojnë se kanë mundësi për sukses në zgjedhje.