Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të së dielës dhe tha se aleanca e udhëhequr nga partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka fituar shumicën parlamentare.
Megjithatë, partia kryesore e opozitës tha se ishte herët për të pranuar humbjen dhe se beson që Erdogani ende mund të mbetet pa 50 përqindëshin e duhur për të shmangur balotazhin më 8 korrik.
Erdogani, 64 vjeçar, është politikani më popullor por edhe më përçarës në historinë bashkëkohore turke.
Zgjedhjet e së dielës pritet të vendosin një presidencë të re të fuqishme ekzekutive të kërkuar nga Erdogani dhe të mbështetur nga një shumicë e ngushtë e turqve në një referendum të vitit 2017. Kritikët thonë se kjo do të dëmtojë më tej demokracinë në shtetin anëtar të NATO-s dhe do të forcojë sundimin e një njeriu.
Një shfaqje e papritur e fuqishme e partnerit të aleancës së partisë AK, MHP-së nacionaliste, mund të përkthehet në një shumicë të qëndrueshme parlamentare që kërkon Erdogani për të qeverisur lirshëm.
Rivali kryesor i Erdoganit, Muharrem Ince nga Partia Republikane Popullore, CHP, u bëri thirrje vëzhguesve që të qëndrojnë në vendvotime për të penguar mashtrimet e mundshme.
Me 99 për qind të votave të numëruara, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, Erdogani ka fituar 52.5 për qind, shumë më lartë sesa Ince që ka fituar 31 për qind.
Opozita dyshon në saktësinë e të dhënave të publikuara nga agjencia Anadolu, e vetmja që kishte të drejtë të publikonte të dhënat zyrtare.
Turqia zhvilloi zgjedhjet e së dielës nën gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur gati dy vjet më parë, pas një grusht shteti të dështuar në korrik të vitit 2016. Ajo kufizon disa liri dhe lejon qeverinë të anashkalojë parlamentin përmes dekreteve. Si Erdogan ashtu edhe Ince kanë thënë se do të heqin gjendjen e jashtëzakonshme.
Erdogani e fajëson për grushtin e shtetit klerikun dhe ish aleatin e tij, Fethullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe ka përndjekur mbështetësit e tij në Turqi. Kombet e Bashkuara thonë se rreth 160 mijë njerëz janë burgosur dhe pothuajse aq janë përjashtuar nga puna.
Sipas analistëve, Erdogan ka dalë nga zgjedhjet shumë i fuqishëm, sidomos duke patur parasysh fuqitë e reja ekzekutive që ai mundi të sigurojë në referendumin kushtetues të vitit të kaluar.
I pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me zgjedhjet në Turqi, analisti i Institutit Këshilli i Atlantikut, Aaron Stein, tha se rezultati i zgjedhjeve turke është ndoshta më i keqi që mund të ekzistojë për Europën dhe Shtetet e Bashkuara. Ai tha se kjo do të thotë një politikë e jashtme më agresive dhe më pak të prirur për arritjen e kompromiseve në vende si Siria dhe Iraku, ku turqit luftojnë me kurdët.