Turqia në votime; kufizime ndaj mediave dhe presione opozitës

Në Turqi votohet sot për zgjedhje të rëndësishme parlamentare dhe presidenciale. Në këto zgjedhje të parakohshme të kërkuara nga Presidenti Erdogan, ai përballet me një rival kryesor, Muharrem Ince, i cili kandidon me premtime për unitet dhe drejtësi. Ndërkohë, autoritetet turke u kanë ndaluar mediave në vend mbulimin e procesit zgjedhor deri në përfundimin e procesit të votimit.

Recep Tayyip Erdogan

Pas një fushate elektorale të gjatë dhe me tone të ashpra, turqit zgjedhin mes Presidentit aktual Recep Tayyip Erdogan dhe pesë sfidantëve të tij. Mes tyre, më i spikaturi është Muharrem Ince, në tubimin përmbyllës të të cilit organizatorët thanë se u mblodhën mbi 5 milionë njerëz. Mediat turke megjithatë mbuluan aktivitetet e opozitës në mënyrë sporadike, ndërsa patën mbulim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë mediatik për aktivitetet elektorale të Presidentit Erdogan.

Muharrem Ince

Po kështu, autoritet turke njoftuan sot, në ditën e votimit, ndalimin e të gjitha transmetimeve mediatike për procesin zgjedhor, deri në mbylljen e kutive të votimit. Gjithashtu, u sulmua publikisht roli i vëzhguesve të misionit afatshkurtër të OSBE-së.

“Pati dje lajme nga agjencia e lajmeve Anadolou që përpiqeshin ta pasqyronin misionin tonë si të anshëm. Dua të siguroj opinionin publik turk se kemi ardhur për të vëzhguar zgjedhjet, për të ndihmuar Turqinë në kalimin e kësaj situate dhe forcimin e demokracisë së maturuar. Ajo çfarë u tha nga agjensia e lajmeve është e pavërtetë. Jemi shumë të zhgënjyer, pasi po mundohen të hedhin poshtë punën tonë. Është thjesht e pavërtetë. Është një fabrikim”, deklaroi kreu i misionit të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, Ignacio Sanchez Amor.

OSBE-ja gjithashtu kritikoi sot vendimin e Turqisë për të ndaluar hyrjen në vend të dy anëtarëve të delegacionit vëzhgues.

Turqia ndaloi hyrjen në vend të dy anëtarëve të ekipit të vëzhgimit të asamblesë parlamentare të OSBE-së: Andrej Hunko, të Partisë së Majtë Gjermane, si dhe të Jabar Amin, të Partisë suedeze për Mjedisin.

Për shkak të ndryshimeve të legjislacionit elektoral, udhëheqësit opozitarë kanë shprehur frikën se mund të ketë manipulime zgjedhore. Gjatë tubimit përmbyllës të rivalit kryesor opozitar, Muharrem Ince, ai i bëri thirrje mbështetësve për një mobilizim 36-orësh për t’u siguruar për ndershmërinë e procesit të votimit dhe numërimit.

Përfaqësuesit e partisë së tij CHP, u shfaqën të alarmuar nga numri i madh i ankesave në pjesën juglindore të Turqisë, përfshirë mbushje të kutive dhe presione ndaj votuesve nëpërmjet prezencës së njerëzve të armatosur në rrugë.

Fituesi i këtyre zgjedhjeve në Turqi do të përfitojë pushtet të zgjeruar ekzekutiv, parashikuar nga ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Presidenti Erdogan dhe të miratuara me referendumin e vitit të kaluar.