Cunami në Indonezi - qindra të vdekur e të plagosur

Një cunami goditi plazhet e Sunda Straits në Indonezi dhe sipas agjencisë së emergjencave, numri i të vdekurve ka arritur në 168, ndërsa 745 veta janë plagosur.

Purwo Nugroho, zëdhënës Agjencisë Kombëtare për Zbutjen e Katastrofave tha se qindra shtëpi, nëntë hotele dhe 10 anije janë dëmtuar nga cunami, që goditi në tri rajone të Indonezisë.

Agjencia për Meteorologji, Klimë dhe Gjeofizikë, (BMKG) raportoi për një shpërthim të vullkanit në Krakatoa, rreth orës 9 të mbrëmjes së të shtunës sipas kohës lokale, dhe cunami goditi rreth gjysmë ore më pas.

Sipas agjencisë, cunami mund të ishte rezultat i një kombinimi të rrëshqitjeve të dheut pas shpërthimit të malit Anak Krakatoa dhe baticës së shkaktuar nga hëna e plotë.

Numri i viktimave pritet të rritet, meqë autoritetet nuk kanë arritur të kontaktojnë të gjitha rajonet e goditura nga cunami.

Më 28 shtator, një tërmet dhe cunami goditi afër qytetit Palu, në ishullin e Sulawesi, duke lënë pas vetes 2 mijë e 500 të vdekur dhe rreth 70 mijë të zhvendosur.

Më 26 dhjetor të vitit 2004, një tërmet në Oqeanin Indian shkaktoi një cunami që vrau 226 mijë njerëz në 13 vende, më shumë se 120 mijë prej tyre në Indonezi.