Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi masa të reja që synojnë forcimin e ekonomisë e cila po përballet me krizën e koronavirusit.
Vetëm në tre javët e fundit, kanë humbur punën 16.8 milion amerikanë, një shifër që tregon se me sa shpejtësi po i gjunjëzon koronavirusi ekonomitë botërore.
Shifrat e publikuara të enjten nga qeveria tregojnë se 6.6 milion amerikanë aplikuan për pagesë papunësie javën e kaluar, që u shtohen 10 milion të tjerëve gjatë dy javëve para kësaj.
Kjo do të thotë se 1 në 10 punëtorë amerikanë kanë humbur punën dhe priten shkurtime të tjera.
Në konferencën e tij të përditshme për luftën kundër koronavirusit Presidenti Donald Trump tha të enjten mbrëma se ai shikon shpresë në horizont për ekonominë e SHBA.
"Mendoj se ajo që do të ndodhë është se do të kemi një rimëkëmbje të madhe dhe aspak të vogël,” tha presidenti.
Rezerva Federale amerikane njoftoi se do të sigurojë deri në 2.3 trilion dollarë kredi për të ndihmuar familjet dhe bizneset.
Disa ekonomistë janë skeptikë.
"Ne mendojmë se papunësia do të shkojë deri në 20 përqind ose ndoshta më shumë. Kjo shifër është më e ulët se sa ajo gjatë Depresionit të Madh. Por është shumë më keq sesa në recesionin e madh të vitit 2009," thotë Ben Harris, ekonomist në Northwestern University.
Miliona njerëz që përpiqen të kërkojnë ndihmë financiare po hasin në vështirësi. Ata nuk hyjnë dot në faqet e mbingarkuara të internetit për të aplikuar, ose nuk dinë si të aplikojnë.
Megjithatë, Presidenti Trump shprehu besim në vendosmërinë e amerikanëve për të kapërcyer problemet.
"Amerikanët po ecin përpara me një qëllim dhe vendosmëri të përbashkët. Ata janë të vendosur për të mposhtur virusin dhe për ta ngritur vendin në lartësi edhe më të mëdha," tha Presidenti.
FONDET E NDIHMËS, DËSHTON MIRATIMI NË SENAT
Senati amerikan nuk arriti të enjten të miratojë fonde shtesë për të ndihmuar punonjësit amerikanë në vështirësi që po përballen me ndikimin e koronavirusit. Votimi u bë më pak se dy javë pasi ligjvënësit amerikanë miratuan paketën më masive të ndihmës ekonomike në historinë e vendit.
Masa e propozuar nga senatorët republikanë do të siguronte 250 miliardë dollarë fonde për Programin për Mbrojtjen e Pagave (PPP), një program prej 350 miliardë dollarësh që është pjesë e legjislacionit për t’u mbrojtur nga pasojat e koronavirusit, të quajtur CARES.
Paketa prej 2.2 trilionë dollarësh e shpëtimit u hartua dhe u miratua me shpejtësi nga Kongresi në fund të muajit të kaluar, ndërsa bizneset në gjithë vendin u përballën me pasojat ekonomike të koronavirusit.
Demokratët në Kongres, e bllokuan përpjekjen e fundit , duke argumentuar se kreu i republikanëve në senat Mitch McConnell nuk ishte konsultuar sa ç’duhej me ta lidhur me shtesën prej një çerek milionë dollarësh.
Republikanët nga ana e tyre, bllokuan përpjekjen e demokratëve për të rritur ndihmën për spitalet dhe qeveritë lokale që po përballen me pasojat e krizës.
Ligjvënësit do të kenë një mundësi tjetër të negociojnë për shtesën të hënën kur Senati të kthehet për një seancë të shkurtër. Deri atëherë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësueve, demokratja Nancy Pelosi tha se nuk ka plane të negociojë me republikanët dhe Sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin gjatë fundjavën e Pashkëve.