Trump sfidon përsëri rezultatin e zgjedhjeve në Uiskonsin

Election 2020-Wisconsin-Recount

Fushata e Presidentit të SHBA Donald Trump paraqiti të martën një ankesë me të cilën sfidon në gjykatën e lartë të shtetit Uiskonsin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet.

Kjo është një tjetër përpjekje për të përmbysur fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ankesa pretendon se zyrtarët e zgjedhjeve ishin udhëzuar të plotësonin informacionin që mungonte në zarfat e fletëvotimeve dhe lëshuan fletëvotime pa marrë aplikime nga njerëzit.

Ankesa e paraqitur në emër të zotit Trump, fushatës së tij dhe Zëvendës Presidentit të SHBA Mike Pence, gjithashtu ngre ankesa për incidente të ndryshme jashtë qendrave të votimi.

Ankesa pretendon se 221,323 fletë votimi me postë janë plotësuar në mënyrë të papërshtatshme. Zoti Biden fitoi në Uiskonsin me rreth 20,000 vota më shumë.

Fushata e zotit Trump dhe mbështetësit e saj kanë ngritur padi për të sfiduar fitoret e zotit Biden në Arizona, Pensilvani, Xhorxhia, Miçigan dhe Nevada, deri tani pa sukses.

Një anëtar republikan i Kongresit, Mike Kelly, dhe paditës të tjerë republikanë të martën kërkuan nga Gjykata e Lartë e SHBA të rishikojë një vendim të së shtunës të marrë nga gjykata e Lartë e Pensilvanisë, ku hidhet poshtë padia e tyre për të sfiduar zgjedhjet dhe të anulojë çertifikimin e fitores së zotit Biden në Pensilvani.

Të hënën, shteti Uisconsin çertifikoi zotin Biden si fitues, duke i dhënë një tjetër goditje përpjekjes së fushatës së zotit Trump për të përmbysur rezultatet. Fushata po kërkon tërheqjen e këtij çertifikimi.

Një zëdhënës i Gjykatës së Lartë të shtetit Uiskonsin konfirmoi se kishte marrë padinë dhe tha se gjykata nuk kishte një afat kohor për të vendosur nëse do ta pranonte çështjen, e cila u paraqit drejtpërdrejt në gjykatën e lartë të këtij shteti.

Peticioni është të paktën i treti paraqitur nga zoti Trump ose nga mbështetësit e tij në gjykatën e lartë të shtetit që nga 23 nëntori për të sfiduar rezultatet e zgjedhjeve. Gjykata nuk ka ndërmarrë ndonjë vendim nëse do të marrë në shqyrtim ndonjërën nga çështjet.

Muajin e kaluar, fushata e zotit Trump kërkoi rinumërime në dy nga qarqet më të populluara dhe me më shumë votues demokratë të shtetit Uiskonsin.

Një rinumërim në qarkun Miluoki i dha zotit Biden 132 vota të tjera.