Presidenti amerikan Donald Trump i ka dalë sërisht në mbrojtje takimit me presidentin rus Vladimir Putin, një ditë pasi u tërhoq prej miratimit që i bëri komenteve të zotit Putin i cili tha se Moska nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
"Shumë njerëz në nivelet më të larta të zbulimit e pëlqyen sjelljen time gjatë konferencës për shtyp në Helsinki" shkruante zoti Trump në një postim në Twitter të mërkurën. "Putini dhe unë diskutuam shumë tema të rëndësishme në takimin që i parapriu konferencës. Ne u puqëm shumë mirë, gjë që ka shqetësuar shumë nga ata që kanë urrejtje dhe që do të donin të shihnin një ndeshje boksi”, shkruante presidenti.
Një ditë më parë presidenti tha se pranon përfundimin në të cilin ka dalë komuniteti amerikan i zbulimit, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016-ës.
"E pranoj përfundimin e komunitetit tonë të zbulimit se ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, ka ndodhur", u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Por më pas ai shtoi se: "mund të ketë shumë njerëz të tjerë të përfshirë”.
Në 16 korrik, gjatë konferencës së tij për shtyp në Helsinki përkrah presidentit rus, zoti Trump miratoi publikisht, mohimin që zoti Putin i bëri akuzave për ndërhyrje të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Qëndrimi i zotit Trump shkaktoi kritika të ashpra të ligjvënësve amerikanë republikanë dhe demokratë. Ligjvënësit i cilësuan komentet e tij të turpshme dhe mungesë respekti ndaj presidencës amerikane.