Ndërsa vazhdojnë shqetësimet lidhur me mosmarrëveshjet ekonomike me partnerët e kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Donald Trump foli për strategjinë e tij të tregjeve të lira, në takimet që pati këtë javë në shtetet amerikane Ajova dhe Illinoi.
Presidenti Trump u përpoq t’i bindëte pjesëmarrësit në takimin e Ajovës, ku fermerët, shumë prej të cilëve e mbështesin atë, janë prekur nga tarifat e reja ndaj sojës dhe produkteve të tjera. Tarifat u vendosën nga Kina, si përgjigje ndaj tarifave të reja të vendosura ndaj mallrave kineze nga presidenti amerikan.
"Ne e hapëm tregun europian dhe kjo ka për të qenë diçka shumë e mirë për ta e për të gjithë ne, për fermerët tanë, sepse ka vetëm një treg të madh për të gjithë,” – tha Presidenti.
Zoti Trump tha se Europa “ka rënë dakord, thuajse menjëherë, të blejë sasi të mëdha të sojës, ngaqë Kina u përpoq ta dëmtonte fermerin amerikan.
Presidenti nuk dha hollësi për atë që ai tha se ishte një letër me një objektiv të caktuar e Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, ndërkohë që Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin e cilësoi paktin “marrëveshje në parim”.
Një ditë para takimit në Zyrën Ovale mes Presidentit Trump dhe zotit Juncker, Departamenti amerikan i Bujqësisë njoftoi se ka caktuar një fond prej 12 miliardë dollarësh për t’u ardhur në ndihmë fermerëve amerikanë të prekur nga tarifat.
"Është pikëpamja e administratës, që bujqësia ka qenë objekt hakmarrjeje, si rezultat i veprimeve tona me synimin për të zbutur pabarazitë në tregti. Kjo është arsyeja që Presidenti dhe Sekretari i Bujqësisë e krijuan këtë program.”- tha një zyrtar i tregtisë.
Megjithatë, disa fermerë thonë se ndihmat financiare nuk do të mund të lehtësojnë ndikimin afatgjatë që do të kenë tarifat e reja ndaj të ardhurave të tyre.
"Për mua, kjo është një humbje e madhe, jo vetëm se ka rënë çmimi i produkteve tona, por ngaqë do të humbin tregjet”,- tha një fermer.
Presidenti Trump u takua edhe me punëtorët e uzinës së çelikut në Granite City, të Illinoit, të cilëve u tha se administrata e tij kishte marrë “masat më të ashpëra në vite, si përgjigje ndaj praktikave tregtare abuzive të Kinës.”