Trump e drejton vëmendjen tek çështjet e brendshme

  • Jim Malone

Presidenti Donald Trump e ka drejtuar vemendjen tek çështjet e brendshme pas kthimit nga udhëtimi 12-ditor në Azi. Ai po u kërkon republikanëve të Kongresit të miratojnë një projektligj reformash tatimore që është edhe një nga premtimet kryesore të fushatës së tij. Por presidenti dhe aleatët e tij republikanë në Kongres përballen me një panoramë të re politike pas fitoreve të demokratëve në zgjedhjet e javës së kaluar në Virxhinia dhe New Jersey.

Presidenti Trump është kthyer në Uashington pas një udhëtimi të gjatë në Azi, që ai thotë se ka sjellë përfitime reale:

"Jemi shumë krenarë për këtë nga pikëpamja e sigurisë dhe ajo ushtarake. Edhe sa i përket tregtisë. Ju do të shihni gjatë viteve shifra që nuk do t’i besoni dot".

Zoti Trump tani po e zhvendos vemendjen te reforma e sistemit të taksave, një provë kyçe për presidentin dhe aleatët e tij republikanë, të cilët po përpiqen për një arritje të rëndësishme legjislative përpara zgjedhjeve të mesmandatit në Kongres vitin e ardhshëm.

Ja ç’thotë Paul Ryan, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve:

"Ne u përpoqëm në vitin 2016 për ta bërë këtë reformë. Edhe Presidenti garoi me synimin për uljen e taksave dhe reformën e taksave. Pra, kjo ka të bëjë me përmbushjen e premtimeve tona për popullin amerikan".

Zoti Trump ishte në Azi kur demokratët fituan në zgjedhjet për guvernatorë javën e kaluar në New Jersey dhe Virxhinia - një shenjë e mundshme rreziku për republikanët, thotë eksperti Kyle Kondik:

"Presidenti është mjaft polarizues dhe jopopullor. Miratimi nga publiku për të është përgjithësisht nën 40 për qind. Demokratët do të jenë tepër të motivuar në zgjedhjet e ardhshme".

Një pjesëmarrje e fuqishme e demokratëve në zgjedhje mund t'i ndihmojë ata të rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve vitin e ardhshëm për herë të parë që nga viti 2006.

Ja ç’thotë udhëheqësi Demokrat në Senat Chuck Schumer:

"Njeriu e nuhat kur fillon vala. Nuk ka garanci nëse ajo do të vazhdojë, por ka gjasa të ndodhë. Kjo ndihej në vitin 2005 dhe po ndihet tani."

Miratimi i publikut për zotin Trump mbetet historikisht i ulët për një president në vitin e tij të parë, një shenjë paralajmëruese kjo për republikanët, thotë John Fortier:

"Nëse presidenti është atje ku është sot, mendoj se do të jetë shumë e vështirë për partinë që të mbajë edhe Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e ardhshme".

Por thjesht kundërshtimi i demokratëve ndaj zotit Trump nuk mund të jetë i mjaftueshëm për sukses, thotë Jim Kessler:

"Demokratët duhet të sigurohen se ata nuk do të jetë thjesht partia anti-Trump, kur të bëjnë garë. Ata duhet të tregojnë se kanë një lloj programi për të fituar plotësisht."

Rezultatet e zgjedhjeve në dy shtete u kanë dhënë gjithashtu shpresë demokratëve se mund ta mposhtin zotin Trump nëse ai kandidon për rizgjedhje në vitin 2020. Por analisti Kondik thotë se ky gjykim është i parakohshëm:

"Unë nuk do të thosha se presidenti do të jetë fare i pafuqishëm në zgjedhjet e vitit 2020 sepse, edhe pse shifrat e tij nuk ishin dhe aq të mira në 2016, ai e kuptoi taktikën që duhet të përdorte për të fituar.”

Zoti Trump dhe republikanët po nguten tani për të realizuar reformën e taksave, të vetëdijshëm se fati i partisë së tyre në zgjedhjet e mesmandatit vitin e ardhshëm mund të jetë i rrezikuar.