Zyrtarët e sigurisë kombëtare në Uashington mohuan komentet lidhur me njoftimet e medias se Presidenti amerikan Donald Trump miratoi goditje ajrore ndaj Iranit të enjten, por më pas u tërhoq nga vendimi për t’i ndërmarrë ato për arsye të panjohura.
Fillimisht presidenti Trump autorizoi sulme ndaj një numri objektivash iraniane, si radarë dhe bateri raketash, siç njoftoi së pari gazeta The New York Times.
Më pas, edhe The Washington Post dhe media të tjera njoftuan se zyrtarët e administratës thanë se presidenti i miratoi kundërgoditjet.
Ndërkohë agjencia e lajmeve Reuters thotë se qeveria iraniane i tha se kishte marrë një mesazh nga Presidenti Trump përmes Omanit, ku ai paralajmëronte për një sulm të pritshëm ndaj Iranit.
Reuters tha se përgjigjja e menjëhershme e Teheranit ndaj mesazhit të Presidentit Trump ishte një paralajmërim i ashpër lidhur me pasojat “rajonale dhe ndërkombëtare” nëse Shtetet e Bashkuara ndërmerrnin veprime ushtarake.
Të enjten në mbrëmje, Administrata Federale e Aviacionit lëshoi një urdhër urgjent përmes së cilit ndalonte të gjitha kompanitë ajrore amerikane që të lejonin avionë të hynin në hapësirën ajrore mbi pjesë të Gjirit Persik dhe atij të Omanit, zona ku u godit droni i Marinës amerikane nga Irani. Edhe disa linja ajrore ndërkombëtare, përfshirë KLM –në holandeze dhe Qantas të Australisë thonë se nuk do të fluturojnë mbi Ngushticën e Hormuzit.