Presidenti Trump kërcënon të detyrojë Kongresin të pezullojë punimet

  • Steve Herman

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po kërcënon që të pezullojë punimet e Kongresit, sepse ligjvënësit nuk kanë miratuar kandidatët e tij për disa poste të larta në administratën e tij, përfshirë personin që ai ka caktuar për të drejtuar agjencinë që mbikqyr Zërin e Amerikës.

Your browser doesn’t support HTML5

Presidenti Trump kërcënon të detyrojë Kongresin të pezullojë punimet

“Unë kam shumë pushtet”, deklaroi të mërkurën Presidenti Trump duke iu referuar nenit të dytë të Kushtetutës amerikane që e lejon presidentin “në rrethana të jashtëzakonshme” që të pezullojë punimet në njërën ose dy dhomat e Kongresit.

"Senati ose duhet të përmbushë detyrën dhe të votojë për emërimet e mia, ose duhet të mbyllë punimet zyrtarisht në mënyrë që unë të bëj emërimet në kushtet e një Kongresi të mbyllur. Kemi një numër të madh njerëzish që duhet të fillojnë punë në qeveri. Dhe tani kjo është më urgjente se kurrë, për shkak të virusit dhe gjendjes ku jemi”, tha Presidenti Trump në konferencën e përditshme për shtyp për koronavirusin, në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas Kushtetutës, kandidatët për disa nga postet e larta të administratës duhet të konfirmohen me shumicë votash në Senat. Megjithatë në rastet kur Kongresi nuk është në sesion, presidenti mund të bëjë emërime, që shfuqizohen nëse kandidati nuk është konfirmuar deri në fund të sesionit të ardhshëm të plotë.

Asnjë president nuk e ka ushtruar autoritetin për të shpërndarë Kongresin, sipas Nenit të Dytë, Artikullit të Tretë të Kushtetutës.

"Ndoshta nuk është bërë kurrë më parë, askush nuk është i sigurt nëse është bërë. Por ne do ta bëjmë. Na duhen këta njerëz. Na duhen njerëz për krizën dhe nuk duam të bëjmë më lojra politike”, tha zoti Trump.

Michael Pack, një producent filmash dokumentarë, që zoti Trump e ka zgjedhur për drejtuar Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Gobale (USAGM), është një nga 15 kandidatët për postet e larta, që presin konfirmimin e Senatit. Zoti Trump e përmendi me emër zotin Pack (por e identifikoi agjencinë që ai do të drejtonte si Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Ndërkombëtare, paraardhësja e USAGM-së).

Presidenti përmendi gjithashtu kandidatët për postin e drejtorit të zbulimit kombëtar, dy anëtarë të Bordit të Rezervës Federale dhe nënsekretarin e Bujqësisë, mes atyre që nuk janë konfirmuar. Zoti Trump fajësoi demokratët për vonesat, duke e akuzuar partinë e opozitës për një “përpjekje të koordinuar për ta vështirësuar situatën”.

“Praktika e ikjes nga qyteti (Uashingtoni), duke bërë seanca të rreme vetëm formalisht është një neglizhim i detyrës që populli amerikan nuk mund ta përballojë gjatë kësaj krize. Kjo që po bëjnë është një sajesë dhe të gjithë e dinë”, tha ai.

Emërimi i zotit Pack “është bllokuar në komisione për dy vjet, duke na penguar të menaxhojmë Zërin e Amerikës – një gjë shumë e rëndësishme”, tha presidenti.

“Dhe po ta dëgjoni se ç’po del nga Zëri i Amerikës, është e neveritshme. Gjërat që po thonë janë të neveritshme ndaj vendit tonë. Dhe Michael Pack do të vinte dhe do të bënte një punë të jashtëzakonshme, por ai ka dy vjet që pret – nuk e miratojmë dot”.

Drejtoresha e Zërit të Amerikës në një përgjigje të mërkurën në mbrëmje, i hodhi poshtë kritikat e Presidentit Trump.

“Për mbi 75 vjet, Zëri i Amerikës ka ndjekur misionin e tij për të treguar historinë e Amerikës në vende të tjera dhe për të dhënë informacion objektiv, bazuar në fakte në vende në gjithë botën që nuk kanë qasje në këto informacione. Siç kemi thënë për një kohë të gjatë, ne përhapim (parimet) e Amendamentit të Parë (që përfshin lirinë e shprehjes dhe medias)”, tha drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett në një deklaratë.

“Unë besoj në atë mision. Dhe duke gjykuar nga mënyra se si po zgjerohen audiencat tona, duke kërkuar informacion të besueshëm gjatë kësaj krize të koronavirusit, bota beson në misionin tonë. Është punë e vështirë, punë e rëndësishme, ndoshta sot më shumë se kurrë më parë”, vazhdon deklarata.

Në një email dërguar stafit të Zërit të Amerikës, zonja Bennett shtoi: “Kemi shumë punë për të bërë. Është punë e vështirë dhe e rëndësishme. Të mos të shpërqendrohemi nga puna që kemi përpara”.

Zonja Bennett është emëruar në postin e saj gjatë administratës së kaluar të ish-Presidentit Barack Obama dhe ka katër vjet në këtë detyrë, një kohë relativisht e gjatë për një drejtor të Zërit të Amerikës. Gazetarja veterane dhe fituese e çmimit Pulitzer, është drejtorja e 29-të e agjencisë në 75 vjet.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë ndërmori një sulm ndaj Zërit të Amerikës, që gazeta New York Times e quajti “të çuditshëm”.

Drejtori i medias sociale për Presidentin Trump, Dan Scavino Jr., tha se taksapaguesit amerikanë po paguajnë për propagandën e Kinës “përmes Zërit të Amerikës që financohet nga qeveria amerikane”.

Ai përmendi si shembull një postim në llogarinë e Zërit të Amerikës në Twitter, të një videoje të agjencisë Associated Press. Videoja tregonte një shfaqje dritash në Wuhan për të shënuar riahpjen e qytetit, ku COVID-19 u diktua për herë të parë.

Disa orë më vonë, Shtëpia e Bardhë, akuzoi Zërin e Amerikës se kishte përdorur grafika “me statistika të qeverisë komuniste kineze për të krahasuar numrin e viktimave të Kinës nga koronavirusi me ato të Amerikës”. Në fakt, Zëri i Amerikës përdor shifrat e besueshme të Universitetit Johns Hopkins për koronavirusin.

“Zëri i Amerikës flet shpesh për kundërshtarët e Amerikës, jo qytetarët e saj”, thuhej në postimin e Shtëpisë së Bardhë.

New York Times shkruajti se “akuzat drejtuar agjencisë 75 vjeçare të transmetimit, dukeshin aq të tepruara saqë disa lexues shprehën shqetësimin se hakerat mund të kishin depërtuar në rrjetet e Shtëpisë së Bardhë”.

Zonja Bennett iu përgjigj kritikave të javës së kaluar me një deklaratë ku shprehej se Zëri i Amerikës “po e mbulon me detaje disinfomimin dhe keqinformimin e Kinës në anglisht dhe në gjuhën mandarine, duke njoftuar njëkohësisht me fakte”. Ajo shtoi se Zëri i Amerikës “ka diskredituar shumë nga informacionet që vijnë nga qeveria kineze dhe media e kontrolluar prej saj”.

Nëse konfirmohet, zoti Pack do të zëvendësojë Grant Turnerin, që po shërben si kreu i përkohshëm i USAGM-së, pas dorëheqjes së John Lansing, që ishte i emëruar nga zoti Obama.