Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit e Kongresit pritet të takohen të premten në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si do t'i japin fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, që ka hyrë në javën e saj të tretë.
Takimi vjen një ditë pas betimit të një grupi të ri ligjvënësish; tani Dhoma e Përfaqësuesve të udhëhiqet tashmë nga demokratët.
Të enjten kjo dhomë miratoi një plan për të rihapur qeverinë federale.
Por paketa nuk përfshin shumën prej 5 miliardë dollarësh që presidenti ka kërkuar për ndërtimin e një muri në kufirin jugor të vendit me Meksikën.
"Nuk do të ndërtojmë mur," tha demokratja Nancy Pelosi, pasi bëri betimin si kryetarja e re e Dhomës së Përfaqësuesve. Sipas saj do të ishte më mirë që paratë të përdoreshin për teknologjinë e sigurisë kufitare dhe punësimin e më shumë agjentëve kufitarë.
Por udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell e cilësoi paketën ligjore të Dhomës së Përfaqësuesve “teatër politik”, edhe pse Senati i udhëhequr nga republikanët miratoi një projektligj identik muajin e kaluar.
Legjislacioni i miratuar të enjten në Dhomën e Përfaqësuesve parashikon rihapjen e qeverisë federale dhe financimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare deri në fillim të muajit shkurt.
Ndërsa vetë Presidenti Donald Trump nuk e ka përdorur fjalën "veto", të tjerë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë e kanë përmendur si mundësi. Një zyrtar tha se presidenti u kishte thënë udhëheqësve demokratë se ai "do të dukej si i marrë", në qoftë se i jepte fund mbylljes së pjesshme të qeverisë.