Trembëdhjetë vjet nga hyrja e KFOR-it në Kosovë

Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë

Kosova sot shënon trembëdhjetë vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s, me çka ju dha fund luftës gati dyvjeçare.

Udhëheqësit e Komitetit Ushtarak të NATO-s thanë sot se forcat paqeruajtëse mbështesin zgjidhjen e të gjitha çështjeve nëpërmjet bisedimeve, por do të ndërmarrin të gjitha masat për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë.

Këto komente u bënë gjatë vizitës së sotme të këtij komiteti, që përkoi me trembëdhjetë vjetorin e hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, prej nga po largoheshin trupat serbe. Që atëherë 12 qershori i vitit 1999 cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.

http://www.youtube.com/embed/5ZZ2iMqHPz0

Trembëdhjetë vjet më pas, Kosova është në vitin e katërtë të pavarësisë së saj ndërsa zyrtarë të NATO-s thanë se është synim i tyre që të vazhdojnë me planet për të mbështetur një rajon të sigurt por edhe bisedimet Kosovë - Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerali danez Knud Bartels, vlerësoi lartë punën e paqeruajtësve në Kosovë, ndërsa dënoi dhunën e ditëve më parë në veri, ku dy pjesëtarë të forcave të NATO-s dhe tre qytetarë serbë u plagosën kur turmat e serbëve sulmuan paqeruajtësit, pas një operacioni të Forcave të KFOR-it për të larguar një nga barrikadat e vendosura nga serbët në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, që lidhë këtë qytet me Mitrovicën.

“Armët e zjarrit kurrë nuk mund të jenë zëvendësim për bisedimet konstruktive, pavarësisht sesa e vështirë mund të jetë situata” tha gjenerali Bartels, duke nënvizuar se misioni i KFOR-it është i qartë dhe i mbështetur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“KFOR-i do t’i përmbahet këtij mandati dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për ta përmbushur atë”, tha ai duke nënvizuar se KFOR-i punon me të gjithë për të vendosur lirinë e lëvizje në tërë Kosovën. NATO-ja tha ai do të vazhdojë misionin e parandalimit të tensioneve në terren dhe të ndihmojë ndërtimin e qëndrueshmërisë në rajon.
Aktualisht në Kosovë ndodhen rreth 6 mijë trupa të NATO-s, ndërsa planet për ndryshimin e numrit të ushtarëve do të mbështeten në analizat e hollësishme të situatës ushtarake dhe politike.

Rreth 50 mijë trupa të NATO-s u vendosën në Kosovë trembëdhjetë vjet më parë ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Bashkë me forcat e NATO-s, në qershor të vitit 1999 në Kosovë u vendos edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara, që ishte parashikuar të administrojë vendin për një periudhë trevjeçare. Nëntë vjet më pas, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e cila kundërshtohet ashpër nga Beogradi, por të cilën e kanë njohur deri tash rreth 90 vende të botës.