Tregu i shtëpive ende në vështirësi në Shtetet e Bashkuara

  • Zëri Amerikës

Tregu i shtëpive ende në vështirësi në Shtetet e Bashkuara

Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 20 për qind e pronarëve të shtëpive përballen me vështirësi për të paguar këstet mujore të huasë, ndërkohë që shumica e të rriturve të anketuar shprehen se janë të shqetësuar rreth pagimit të huasë.

Në raportin e sotëm të firmës Harris për kërkime mbi opinionin publik thuhet gjithashtu se 21 për qind e pronarëve të shtëpive kanë borxh më të madh se sa vlera aktuale e shtëpisë. Ndërkohë që këto shifra tregojnë se sektori i strehimit nuk është rimëkëmbur nga kriza ekonomike, ato përbëjnë përmirësim krahasuar me një vit më parë.

Përmirësimi është pjesërisht rrjedhojë e faktit se disa njerëz, që njoftuan probleme vitin e kaluar, nuk figurojnë në këtë statistikë pasi kanë humbur shtëpinë si pasojë e mos pagimit të kësteve dhe rimarrjes së shtëpisë nga banka. Probleme të mëdha në tregun e strehimit shkaktuan krizën ekonomike. Sektori i strehimit po rimëkëmbet më ngadalë se sa prodhimi dhe segmente të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë amerikane.