Trauma, dhuna dhe burgosjet në New Orleans pas uraganit Katrina

Një pamje ajrore e qytetit New Orleans pas uraganit Katrina

Dy filma analizojnë ciklin e dhunës, traumës dhe burgosjeve në komunitetin afrikano-amerikan pas uraganit Katrina në New Orleans. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou foli me kineastët dhe organizatorët e komunitetit në dokumentarin "Freedia Got a Gun" dhe në dramën "RZA's Cutthroat City". Ata dokumentojnë arsyet e dhunës në sistem në qytetin që u shkatërrua 15 vjet më parë nga një uragan i kategorisë 5.

Your browser doesn’t support HTML5

Trauma, dhuna dhe burgosjet në New Orleans pas uraganit Katrina

"Vdekja e Adam Rossit, vëllait të madh të Big Freedias shënon të shtënat e dyta fatale në qendër të qytetit këtë muaj", thuhet në edicionet e lajmeve të shfaqura në film.

Të shtënat që i morën jetën Rossit në janar 2018 e nxitën Big Freedian, një muzikante popullore hip-hopi në New Orleans, të trajtonte temën e rrethit vicioz të dhunës, traumave dhe burgosjeve në komunitetin e saj.

"Dje humba një mik të mirë. Dhe një ditë përpara, humba një të njohur tjetër. Pra, çdo ditë po humbasim njerëz në njëfarë mënyre. Dhe është kaq pikëlluese dhe tronditëse", thotë aktivistja Big Freedia.

Ajo ia atribuon këtë krizë dhunës me armë që i lë fëmijët jetimë të gjejnë zgjidhje për veten e tyre, një cikël dhune që vazhdon ndërsa të rinjtë kërkojnë hakmarrje për vrasjet e prindërve dhe miqve. Në një forum të një shkolle tetëvjeçare për dhunën me armë, nxënësit janë të lodhur nga dhuna dhe vdekja përreth tyre.

"Mjafton të dilni jashtë; ata thjesht qëllojnë kot. Një plumb mund të godasë këdo. Plumbi nuk ka emër", thotë një nxënëse në filmin "Freedia Got a Gun".

"Po mbaja babin tim kur u plagos nga një plumb", tregon një tjetër nxënës.

Trauma dhe sjellja kriminale shpesh pasohen nga burgosja.

"Ndaj meje u ngritën dy akuza: vjedhje makine dhe armëmbajtje pa leje", tregon nxënësi.

Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, Luiziana ka numrin e pestë më të lartë të vdekjeve nga armët në Shtetet e Bashkuara. Qyteti ka gjithashtu një nga normat më të larta të burgosjes në vend, me një në 100 banorë të burgosur. Nga këta, janë katër të burgosur afrikano-amerikanë për çdo një të burgosur të bardhë.

"Nuk duam t'ju shohim të gjithëve këtu. Sa njerëz mendoni se po ndikohen nga gjërat që ju bëni? E gjithë familja juaj", u thotë Freedia të burgosurve në Qendrën e Vuajtjes së Dënimit "Elayn Hunt".

"Ky është mentaliteti i skllavërisë. Ky është thelbi i problemit. Kemi tendencën të bëjmë ato që bëjmë pasi nuk mendojmë se ekziston diçka tjetër që mund të bëjmë", thotë në film njëri nga të burgosurit.

Sipas dokumentarit, uragani Katrina që goditi qytetin New Orleans 15 vite më parë, shtoi krimin dhe dhunën në qytet nëpërmjet shkatërrimit të ekonomisë vendase dhe zhvendosjes së rreth 400 mijë banorëve.

" Ndryshoi dinamikën e qytetit. Ndryshoi lagjet. Lagje të tëra i rrëmbeu uji. Dhe ndërsa njerëzit filluan të riktheheshin pak e nga pak, ata kishin humbur shtëpitë e tyre, ata kishin humbur gjithçka", thotë Chris McKim, producent i filmit "Freedia Got A Gun".

Filmi fillon me një notë pozitive, ndërsa një ndër personazhet kryesore, Blink-u , një artist librash me vizatime, ëndërron për një jetë më të mirë. Por pastaj Katrina godet lagjen me të ardhura të ulëta "Lower Ninth Ward" dhe përmbys jetët e Blink-ut dhe komunitetit të tij. Në pamundësi të gjetjes së një pune apo të marrjes së ndihmës nga Agjensia Federale për Menaxhimin e Emergjencave, ai i kthehet botës së krimit.

Njëra grabitje sjell tjetrën, duke ia bërë atij gjithnjë e më të vështirë daljen nga një situatë e pashpresë.

Mungesa e shpresës në New Orleans pas uraganit Katrina është tema e filmit. Por filmi gjithashtu përshkruan se si korrupsioni ka torturuar qytetin prej brezash. Qyteti i përshkruar duket se është vendi ku vijnë të vdesin ëndrrat e afrikano-amerikanëve të goditur nga varfëria. Megjithatë, regjisori thotë se filmi i tij përfundon me notën shpëtimtare se njerëzit e kanë fuqinë ta transformojnë jetën e tyre.

Lulja e zambakut rritet nga balta. Në rregull, komuniteti mund të jetë baltë. Por një lule mund të rritet prej saj. Unë mendoj se të gjithë meritojnë një shans të dytë, ose të paktën t'u jepet mundësia", thotë RZA, producent i filmit "RZA's Cutthroat City".

"Katrina ka qenë gjithnjë me ne. Ka marrë plot emra të ndryshëm", thuhet në film.