Në luftën kundër Covid-19, disa qendra mjekësore po ofrojnë terapi me antitrupa si një mënyrë për të shpëtuar pacientët nga zhvillimi i simptomave më të rënda të sëmundjes. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan vizitoi një qendër mjekësore në Merilend për të mësuar më shumë për këtë lloj trajtimi.
Diana Gumas bëri gjithçka që ishte në fuqinë e saj për të mbrojtur nënën e saj 86 vjeçare nga infektimi me Covid-19, pasi ajo vuan nga leuçemia.
Por, përkundër të gjitha masave paraprake, në janar motra e Dianës u diagnostikua me Covid-19, dhe një ditë më vonë, edhe nëna e saj rezultoi pozitive.
"Po u thoja çfarë të bënin nëse unë nuk do të isha më", thotë Barbara Gumas.
"Ashtu ishte. Ke të drejtë. Është e tmerrshme, në situata të tilla mendon për më të keqën. Kështu që, ajo po na jepte të gjitha udhëzimet në rast se gjërat nuk do të shkonin mirë", thotë vajza e saj, Diana Gumas.
Ato thonë se ajo që ndodhi më vonë ishte një "mrekulli". Barbara u trajtua me Bamlani vimab, një ilaç me antitrupa monoklonalë i prodhuar nga kompanitë AbCellera Biologics dhe Eli Lilly për të trajtuar pacientët e infektuar me Covid-19.
Antitrupat janë mekanizmi i natyrshëm mbrojtës i organizmit ndaj sëmundjeve si Covid-19. Antitrupat monoklonalë u ngjajnë atyre që prodhon organizmi, por ato zhvillohen në laborator dhe mund të injektohen në enët e gjakut.
Këto antitrupa ndihmojnë në ndalimin e përkeqësimit të simptomave të Covid-19, ndërsa trupi i pacientit rrit mbrojtjen e vet të natyrshme ndaj sëmundjes.
Kërkesa për të përdorur këtë lloj trajtimi u miratua në Shtetet e Bashkuara në vjeshtën e vitit 2020 dhe mund të përdoret vetëm tek pacientët e moshës mbi 12 vjeç.
Kushtet për t’u kualifikuar janë testi pozitiv për Covid-19, përparim i lehtë deri mesatar i simptomave të sëmundjes dhe një histori mjekësore që nënkupton komplikime të rrezikshme për jetën nëse simptomat e Covid-19 përkeqësohen.
“Ata më dhanë këshilla të shkëlqyera, më thanë saktësisht se si të aplikoja në internet. Ishte thjesht fantastike! Brenda dy ditësh kërkesa e nënës sime u miratua dhe ajo filloi të merrte trajtimin", thotë Diana Gumas.
Barbara Gumas u shërua dhjetë ditë pas trajtimit me antitrupa monoklonalë. Lodhja dhe humbja e shijes dhe aromës ishin simptomat e saj të vetme. Izolimi doli të ishte pjesa më e vështirë e gjithë përvojës.
“U habita kur hapa derën e banesës dhe pashë një tabelë të madhe me mbishkrimin karantinë! Aty thuhej se askush nuk duhet të hynte pa veshje mbrojtëse”, thotë Barbara Gumas.
Një nga qendrat më të mëdha të trajtimit me antitrupa në shtetin e Merilendit ndodhet në Baltimore.
Gazetarët nuk lejohen të hyjnë brenda për shkak të rrezikut të infektimit.
Çdo javë, deri në 400 pacientë me Covid-19 mund të trajtohen këtu, dhe procesi zgjat pak më pak se tre orë.
Vetëm 10 për qind e 1200 pacientëve që janë trajtuar në këtë qendër kanë patur efekte anësore, në shumicën e rasteve, temperaturë të lartë dhe ethe.
“Personat e moshës mbi 55 vjeç me sëmundje kronike, sëmundje të zemrës, hipertension dhe diabet janë në kategorinë e njerëzve më të rrezikuar. Ne mendojmë se edhe personat e çdo moshe me diabet, mbipeshë dhe sëmundje të sistemit imunitar janë në rrezik më të lartë nga simptomat e rënda të Covid-19. Kështu që ne jemi duke ofruar trajtime për këto grupe pacientësh", thotë Zishan Siddiqui nga Spitali i Qendrës së Konventës në Baltimore.
Trajtimi me antitrupa është i ri dhe ende nuk është studiuar plotësisht. Megjithatë, mjekët janë optimistë për këtë lloj trajtimi.
Pacientët mund të bëjnë vaksinën e koronavirusit 90 ditë pas trajtimit me antitrupa. Barbara mezi pret të bëjë vaksinën.
“Kontaktova me telefon spitalin për të mësuar saktësisht se kur e kam bërë trajtimin me antitrupa. E kam shënuar në kalendar datën se kur mund të bëjë vaksinën”, thotë ajo.
Ndërsa ky trajtim tani për tani është ekskluzivisht për njerëzit me probleme shëndetësore, ai mund të rezultojë të jetë një mjet i dobishëm në luftën kundër Covid-19.