Në Tiranës sot u zhvillua seanca e radhës e procesit ndaj ish zëvendës kryeministrit Ilir Meta i cili akuzohet për korrupsion nga Prokuroria e cila zhvilloi hetimet lidhur me videon në të cilin zoti Meta shfaqet në bisedë me ish ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti duke kërkuar favore në këmbim të ryshfeteve.
Ashtu siç kishte premtuar, zoti Meta ishte vetë sot i pranishëm në Gjykatë ku pritej që të jepte dëshminë e tij edhe ish ministri Dritan Prifti. Në hapje të seancës avokatët e zotit Meta kërkuan transkriptimin e bisedës së videos tjetër mes zotit Prifti edhe ish zëvendës ministrit të Ekonomisë Leonard Beqiri dhe marrjen e këtij të fundit si dëshmitar. Por prokuroria u shpreh se aktet e ekspertimit ishin zhvlerësuar nga Gjykata. Trupi gjykues vendosi për pasojë rrëzimin e kërkesës së avokatëve të zotit Meta.
Pas seancës, zoti Meta tha se Prokuroria ishte tërhequr nga një provë e rëndësishme e saj dhe se këtë e kishte bërë, sipas tij, se kërkon që të përdorë në proces deklarimet e rreme të zotit Prifti. Ky i fundit reagoi pasdite duke thënë se Gjykata bëri atë që vetë zoti Meta kishte kërkuar, pra pavlefshmërinë e akteve të ekspertimit.
Gjykata e Lartë shpalli se të hënën e ardhshme do të caktojë edhe ekspertët për videon Meta-Prifti.