Tiranë: Në pritje të përfundimit të numërimit të kutive të fundit

  • Armand Mero
    Tiranë

Tiranë: Në pritje të përfundimit të numërimit të kutive të fundit

Në Tiranë procesi i numërimit të kutive të mbetura për kandidatin e ardhshëm të bashkisë së kryeqytetit. Ndonëse kandidati socialist Edi Rama ka marrë më shumë vota nga numërimi i kutive të fundit, sërish rivali i tij i djathtë Lulzim Basha, mbetet në epërsi të ngushtë. Ende janë edhe 9 kuti të cilat nuk janë hapur akoma, ndërkohë që procesi po shoqërohet edhe me debate mes palëve për një numër fletësh që janë konsideruar të pavlefshme. Procesi i numërimi po ndiqet edhe nga vëzhguesit ndërkombëtar ndërkohë që në sallë ka një prani të madh të përfaqësuesve të të dy kampeve. Të dyja palët po ndjekin me kujdes të jashtëzakonshëm çdo votë duke bërë përllogaritjet dhe krahasimet me parashikimet e tyre. Socialistët shpresojnë në një përmbysje të mundshme të rezultatet duke qenë se kutitë e mbetura i përkasin një zone të konsideruar si një bastion i së majtës. Ndërsa demokratët po presin që diferencat e votave të mos jenë të atilla sa ë përmbysin avantazhin e ruajtur gjatë nga kandidati i tyre. Me ritmet e deritanishme parashikohet që rezultati të mos mund të dalë përpara mesnatës.

Në Shqipëri, procesi i numërimit të kutive të fundit për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës ka mbërthyer vëmendjen e të gjithëve. Diferencat e ngushta mes dy rivalëve, kryetarit aktual Edi Rama dhe kandidatit të së djathtës Lulzim Basha kanë bërë që të dyja palët të jenë në ankth. Zoti Basha ka vazhduar të ruajë avantazhin prej disa qindra votash. Sot nisi numërimi i 16 kutive të fundit dhe deri pasdite vonë nuk ishin hapur ende 10 prej tyre.

Palestra e shkollës “Avni Rustemi” është kthyer në epiqendrën e vëmendjes jo vetëm të kryeqytetasve por thuajse të gjithë qytetarëve shqiptarë. Tirana, është kryeqendra e vendit dhe beteja për drejtimin e saj në katër vitet e ardhshme ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe beteja kryesore, por asnjë herë më parë nuk ka ndodhur që fituesi të mbetet për t’u vendosur në momentet e fundit. Është një luftë deri për votën e fundit dhe kjo shpjegon edhe tensionin e lartë që mbretëron në sallën e numërimit, por dhe jashtë saj ku palët edhe sot shkëmbyen replika dhe akuza të ndërsjella.

Socialistët akuzuan gjatë paradites demokratët se po përpiqen që me përfaqësuesit e tyre në procesin e numërimit të deformojnë rezultatin:

"Ajo që ne vërejmë sot me shqetësim, që nga mëngjesi, ka të bëjë me një angazhim extra të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për të shpërdorur procesin e numërimit të votave atje, për ta prishur procesin e numërimit atje, dhe për të deformuar rezultatin zgjedhor".

Nuk vonoi përgjigja nga selia e partisë demokratike: "Në vend që të dëgjojë me qetësim zërin e qytetarëve Edi Rama po përpiqet të prishë procesin përmes presionit dhe kërcënimit ndaj numëruesve, komisionerëve dhe vëzhguesve duke hedhur akuza të pabaza me një gjuhë prej talebani. Askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi demokracinë thejsht sepse ka frikë nga rezultati i zgjedhjeve", u shpreh deputeti demokrat Gerti Bogdani.

Deputeti Erion Brace doli sërish pasdite për të denoncuar vonesat në procesin e numërimit të cilat sipas tij provokohen nga përfaqësuesit demokrat dhe kontestimet e pabaza që siç tha ai po u bëhen votave në favor të zotit Rama.

Në fakt procesi ka qenë sot mjaft i ngadaltë, pas një ritmi të përshpejtuar që mori mbrëmë kur në qendrën e numërimit u shfaqën fillimisht ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e më pas ai i delegacionit të Bashkimit Evropian Etore Sekui e pas mesnatës edhe ambasadori i OSBE-së.

Deri pasdite vonë nuk u numëruan më shumë se 6 kuti votimi duke e mbajtur situatën të tensionuar dhe nën ankth. Një gjë është thuajse e sigurt. Kryetari i ardhshëm i bashkisë do të përcaktohet nga një grusht votash.