Kina, Hong Kongu në përvjetorin e Tienanmenit

Megjithë shiun e madh, dhjetëra mijë banorë të Hong Kongut morën pjesë në një ceremoni përkujtimore me rastin e 24 vjetorit të shtypjes së përgjakshme të protestave në Sheshin Tienanmen të Pekinit.

Organizatorët e ceremonisë së përvitshme në Parkun Viktoria të Hong Kongut thanë se 150 mijë veta morën pjesë në tubim, ndërsa policia dha një shifër më të vogël, rreth 54 mijë. Një pjesë e njerëzve të mbledhur u larguan kur filloi shiu, por shumica qëndruan, duke hedhur parrulla që i bënin thirrje udhëheqësve komunistë të Kinës të rehabilitojnë lëvizjen e protestës së vitit 1989 në sheshin qendror të Pekinit.

Më 4 qershor të atij viti, trupat kineze të mbështetura nga tanket, e shtypën demonstratën studentore, duke vrarë qindra e ndoshta mijëra njerëz. Qeveria kineze e quan incidentin "rebelim kundërrevolucionar" dhe çdo vit i pengon përpjekjet e aktivistëve pro-demokracisë për të përkujtuar këtë ngjarje.

Ish-kolonia britanike e Hong Kongut, e cila u kthye nën sovranitetin kinez në vitin 1997, ende e ruan të drejtën për të protestuar.