TOKIO - Për shkak të abuzimit me të drejtat e njeriut në Kinë, një koalicion prej 180 organizatash të të drejtave të njeriut po bën thirrje për bojkotimin vitin e ardhshëm të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.
Lojërat do të çelen brenda një viti, më 4 shkurt 2022 dhe do të vazhdojnë pavarësisht pandemisë.
Koalicioni është i përbërë nga grupe që përfaqësojnë tibetianët, ujgurët, mongolët, banorët e Hong Kongut dhe të tjerë.
Grupi u ka dërguar një letër të hapur qeverive duke bërë thirrje për bojkot të Lojërave Olimpike "për t'u siguruar që ato nuk do të përdoren për të inkurajuar abuzimet e tmerrshme të të drejtave dhe goditjet e disidencës nga qeveria kineze".
Grupet e të drejtave më parë i kanë kërkuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) me seli në Zvicër për t'i zhvendosur lojërat nga Kina. IOC kryesisht i ka injoruar kërkesat dhe thotë se është vetëm një organ sportiv që nuk merret me politikë.
Grupet thanë se për shkak të mosveprimit të IOC-së "tani u mbetet qeverive të marrin një qëndrim dhe të demonstrojnë se ata kanë vullnetin politik për të reaguar ndaj abuzimeve të dënueshme të të drejtave të njeriut në Kinë".
Pekini organizoi Lojërat Olimpike 2008, të cilat premtoi se do të përmirësonin të drejtat e njeriut në vend. Në vend të kësaj, grupet e të drejtave të njeriut thonë se prestigji i Lojërave Olimpike ka çuar në "një rritje të sulmeve ndaj komuniteteve që jetojnë nën sundimin e tij (Pekinit)".
Situata e ujgurëve në Kinën veriperëndimore ka marrë vëmendjen më të madhe. Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëriti në ditën e tij të parë në detyrë se ai besonte se po bëhej gjenocid kundër pakicave etnike në Xinjiang.
Kina i ka hedhur poshtë kritikat si ndërhyrje në punët e saj të brendshme dhe politizim të sporteve. Ajo ka reaguar fuqishëm ndaj akuzave për gjenocid. Një zyrtar kinez e quajti atë "gënjeshtra e shekullit".
Që nga viti 2016, Kina ka dërguar një milion ose më shumë ujgurë dhe pakica të tjera kryesisht myslimane në burgje dhe kampe indoktrinimi që shteti i quan qendra trajnimi, sipas vlerësimeve të studiuesve dhe grupeve të të drejtave.
Njerëzit u janë nënshtruar torturave, sterilizimit dhe indoktrinimit politik përveç punës së detyruar si pjesë e një fushate asimilimi, sipas ish-banorëve dhe të arrestuarve, si dhe ekspertëve dhe dokumentave të marra pa dijeninë e qeverisë.
Kina në fillim mohoi ekzistencën e zonave të internimit. Më vonë ajo i pranoi ato, por mohoi çdo abuzim dhe tha se hapat që ka ndërmarrë janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin dhe një lëvizje separatiste.
"IOC refuzoi të dëgjonte në 2008, duke mbrojtur vendimin e tij me pretendimet se ata do të provonin sa janë një katalizator për përmirësimin e të drejtave të njeriut," thotë letra. “Siç parashikuan ekspertët e të drejtave të njeriut, ky vendim rezultoi të ishte jashtëzakonisht i gabuar; jo vetëm që të dhënat e Kinës për të drejtat e njeriut nuk u përmirësuan, por shkeljet u rritën ndjeshëm pa u ndëshkuar".