Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot se javën e ardhshme Kosova do të ketë qeverinë e saj të re të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e sotme të qeverisë në dorëheqje, duke lënë të hapur mundësinë që kabineti i qeverisë së re të publikohet bashkë me mbledhjen e parë të Parlamentit të ri, që do të mblidhet të hënën më 21 shkurt.
Zoti Thaçi tha se Kosova po hyn në një periudhë sfidash që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit dhe zhvillimit ekonomik, qëndrueshmërisë politike dhe integrimeve euroatlantike.
“Bazuar në këtë pikënisje, Kosovës po i ofrojmë nga e hëna e ardhshme një qeveri të fortë, institucione të forta, për të forcuar edhe më tej pavarësinë shtetërore të Republikës së Kosovës. Pra, për këtë qëllim unë do të jem plotësisht i gatshëm për të bashkëpunuar me përfaqësuesit e të gjitha partive politike për të punuar për Kosovën evropiane, me të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, do të kemi një bashkëpunim të mirë, të ri të pa ndodhur më herët në raportet pozitë – opozitë në të mirë të vendit, në trë mirë të shtetit dhe gjithë qytetarëve”, tha zoti Thaci.
Partia Demokratike e Kosovës vendosi në fillim të kësaj jave që t’i jap postin e presidentit, Aleancës Kosova e Re, duke i hapur rrugën themelimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në fillim të javës që lamë pas, Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës e cila qe përvijuar si partneri më i mundshëm i koalicionit qeverisës, vuri si kusht përfshirjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila nga ana e saj bashke me lëvizjen vetëvendosje ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë. Kjo ka bërë që Partisë Demokratike t’i mbetet mundësia që qeverinë ta bëjë me pakicat kombëtare, Aleancën Kosova e Re dhe Listën Ibrahim Rugova e cila ka një deputet në parlamentin e ri të Kosovës. Partitë opozitare kritikuan vendimin e Partisë Demokratike me të cilin ajo siç thuhet mund të sigurojë shumicën e thjeshtë parlamentare, por jo edhe qëndrueshmërinë aq të nevojshme politike për të përballur sfidat që ndodhen para Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme u përshkuan me shumë parregullsi që cilësohen si pasojë e sistemit zgjedhor, për ndryshimin e të cilit sot u zotua edhe kryeministri në largim Hashim Thaçi.
“Dëshiroj të theksoj së një nga hapat e parë që do të ndërmarr si kabinet i ri qeveritar, pra nga java e ardhshme, do të jetë fillimi i reformës zgjedhore, që është e domosdoshme për të tejkaluar disa dobësi që po paraqiten vazhdimisht në proceset elektorale. Reforma zgjedhore do të jetë e thellë, e gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse”, tha zoti Thaçi.
Sidoqoftë, zbatimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme pritet të fillojë javën që vjen ,ndërsa ditët në vazhdim pritet të shënojnë një fazë të re bisedimesh ndërmjet partnerëve të koalicionit të ri për ndarjen e pushtetit ndërmjet tyre...