Thaçi: “Duhet një përmbyllje historike e së kaluarës me Serbinë”

Thaçi: “Duhet një përmbyllje historike e së kaluarës me Serbinë”

Vrasja e sotme në Prishtinë e zyrtarit kryesor të arsimit u dënua nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, ai tha se kjo është ngjarja më e shëmtuar që mund t’i ndodhte Kosovës. Kryeministri Thaçi tha se ngjarja e sotme është një mesazh për vendosmëri më të lartë të institucioneve të vendit në luftën kundër krimit dhe për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë Kosovën. Në bisedën për "Ditarin", ai tha se Kosova është në rrugë të mirë për vendosjen e sundimit të ligjit edhe në veriun e saj të banuar me shumicë serbe, ndërsa u angazhua për, siç tha ai, përmbylljen historike të kapitullit të së keqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e dënoi vrasjen e sotme të drejtorit të drejtorisë së arsimit në komunën e Prishtinës Remzi Salihu, Në një bisedë për Zërin e Amerikës ai tha se ky ishte një sulm ndaj institucioneve të Kosovës.

Kjo është ngjarja më e shëmtuar e mundshme, që mund t’i ndodhte Kosovës, është një krim i shëmtuar, i dënueshëm nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Republikës. Është një mesazh për reflektim dhe vendosmëri edhe më të lartë të institucioneve të vendit në luftë kundër krimit. Prandaj, qeveria e Republikës së Kosovës e dënon rëndë këtë krim të kryer në zyrtarë e komunës së Prishtinës, ndaj një njeriu të dashur, të respektuar e të vlerësuar nga të gjithë”.

Kryeministri Thaçi tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ndaj vendosjes së sundimit të ligjit, përfshirë edhe veriun e vendit, rrugët e të cilit mbeten të bllokuara nga protestuesit serbë, që nuk pajtohen me vendosjen e doganave të Kosovës në atë zonë. Kryeministri Thaçi tha se pas 25 korrikut, tërësia tokësore e Kosovës është e mbrojtur dhe sovraniteti i saj po forcohet. Por ai tha se problemet 12 vjeçare në veri nuk mund të zgjidhen për 12 orë. Ai tha se qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët e saj në veri dhe atje nuk do të jetë një status quo të re. Vullneti i shumicës së qytetarëve në veri nuk janë barrikadat dhe dhuna, tha ai.

Është shumë me rëndësi që qytetarët atje nuk jetojnë me ëndrrën e ushqyer nga Beogradi tash e 12 vite për ndarje. Dhe të gjithë e dinë se barrikadat dhe ai mentalitet nuk do të mund të mbijetojë gjatë atje. Rruga e vetme është integrimi, dorë shtrëngimi dhe natyrisht se krijimi i rrethanave shumë më pozitive nga ana e qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare në mënyrë që qytetarët atje të jetojnë si në gjithë territorin e Kosovës”.

Kryeministri Thaçi tha se zgjidhja e situatës në veri është në planin a krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe në Kushtetutën e Kosovës...

Për veriun e Mitrovicës, nuk do të jetë status special, nuk do të ketë autonomi. Nuk do të ketë ndonjë trajtim siç pretendohet poshtë e lartë, apo administrim ndërkombëtarë. Dëshiroj të thekojë se gjithë skena politike kosovare ka një qëndrim dhe flasim me një zë se duhet të vazhdojë implementimi i dokumentit të presidentit Ahtisaari, duhet të ndodhë investim socio ekonomik, duhet të ketë rend dhe ligj. Dhe vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dokumentin e presidentit Ahtisaari dhe Rezolutën 1244, atje do të ketë normalitet, duhet të ketë jetë të re, duhet të ketë perspektivë.

Zëri i Amerikës: A duhet të presim një formë të re bisedimesh me Beogradin për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke pasur parasysh praninë e fuqishme të Beogradit në veriun e Kosovës?

Hashim Thaçi: Ju përmendet edhe idenë që është prezantuar apo keqinterpretuar të administrimit ndërkombëtarë, gjë që unë nuk besoj që është prezantuar nga askush kjo ide, por e theksoj, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të kërkojnë mbikëqyrje, do të vazhdojnë të kërkojnë mbështetje të plotë edhe për veriun, siç kemi pasur në gjithë pjesën tjetër të territorit të Kosovës, në mënyrë që të kemi një zgjidhje të shpejtë të çështjeve të grumbulluara tash e 12 vite. Dhe e ritheksoj, procesi i lëvizjes përpara për rend dhe ligj, demokraci dhe zhvillim ekonomik e integrim në veri është i pandalshëm”.

Kryeministri Thaçi i bëri thirrje Beogradit për një politike të re ndaj Prishtinës duke respektuar vlerat euroatlantike. Por, pavarësisht qëndrimit të tij, Prishtina, tha ai, është e gatshme të vazhdojë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojë të gjithë marrëveshjet e arritura. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Serbi të ndikojnë në qasjen e saj ndaj veriut të Kosovës. Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen për një përmbyllje historike të kapitullit të errësirës, konfliktit, armiqësive, vrasjeve dhe tërë periudhës së keqe në marrëdhëniet ndërmjet dy palëve..

“Prishtina ka treguar gjithmonë gatishmëri që kjo të ndodhë. Ka treguar gjithmonë gatishmëri duke u nisur nga vizioni për të ardhmen, vizioni për t’u integruar në NATO dhe BE. Për fat të keq, edhe sot kemi një hezitim dhe refuzim të politikës së Beogradit."

Zëri i Amerikës: A mundët pranvera e vitit të ardhshëm të shënojë fillimin e një dialogu të mundshëm politikë për t’i zgjidhur këto probleme, por pas zgjedhjeve në Serbi?

Hashim Thaçi: Kur flitet për takimet e niveleve të larta politike, ato do të mund të ishin takime që do të sillnin respektin për njëri tjetrin, në të njëjtën kohë edhe njohjen për njëri tjetrin.

Zëri i Amerikës: A jeni i gatshëm për takime të tilla, zoti Kryeministër?

Hashim Thaçi: Në çdo moment, institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme të takohen me bartësit e institucioneve të Serbisë, në mënyrë që t’i zgjidhim këto dallime të mëdha që i kemi si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Ne nuk jemi vendet e para që kemi qenë në konflikt dhe lidershipi ka përmbyllur problemet. Mendoj se vetëm me takime, vetëm me dialog për marrëdhënie të mira ndërshtetërore, mund të ecim përpara dhe në asnjë rrethanë duke mos komunikuar, duke mos dialoguar. Por, e ritheksoj, çështja e Kosovës është mbyllur njëherë e përgjithmonë. Kosova është vend sovran dhe i pavarur. Mund të ndodhin takime në mes liderëve të Prishtinës dhe Beogradit, vetëm për njohjet zyrtare si dy shtete të pavarura dhe sovrane.