Tetovë: PDSH mban Kongresin e Pestë

  • Isak Ramadani

Tetovë: PDSH mban Kongresin e Pestë

Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni po mban Kongresin e saj të pestë në Tetovë, ku pritet të zgjidhet kryetari dhe organet tjera drejtuese të partisë. Kongresi ka tubuar delegatët nga degët dhe nëndegët dhe forumet e kësaj partie opozitare shqiptare.

Delegatët do të zgjedhin midis Menduh Thaçit, kryetar i tanishëm dhe Arif-hikmet Xhemailit, ish-ministër i Kulturës, për drejtues të partisë me mandat katërvjeçar.

Do të zgjidhen po ashtu edhe anëtarët e Kryesisë qendrore dhe të Kuvendit qendror, ndërsa me propozim të kryetarit të sapozgjedhur do të votohet edhe për sekretarin e përgjithshëm dhe katër nënkryetarët e partisë.

Sipas burimeve brenda PDSH-së, në organet e larta të saj do të ketë njerëz të rinj. Zyrtarë të partisë thonë se zgjedhja do të bëhet në mënyrë transparente dhe demokratike.

Në Kongres ishin si të ftuar një zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe vëzhgues nga ambasadat në Shkup, por asnjë përfaqësues nga partitë e Maqedonisë.