Tërmeti në Tajvan

Policia në Tajvan ka arrestuar ndërtuesin e një pallati 17 katësh në qytetin Tainan që u shemb gjatë një tërmeti të fuqishëm të shtunën, 40 vetë humbën jetën.

Lin Ming-hui akuzohet për vrasje nga pakujdesia. Metodat dhe materialet e përdorura për ndërtimin e strukturës kanë shtruar pikëpyetje, pas qarkullimit të fotografive që tregonin përdorimin e kanaçeve në beton.

Më shumë se 300 persona u shpëtuan nga rrënojat, ndërsa më shumë se 100 të tjerë besohet se janë të bllokuar. Ekipet e shpëtimit po punojnë duke përdorur vinça dhe pajisje elektronike dëgjimi me shpresë për të gjetur të mbijetuar të tjerë.

"Po shpenzojmë shumë kohë pasi kemi shpresë. E gjithë puna inxhinierike është ndalur, pasi ndërpret procesin e shpëtimit. Përsa kohë që ekipet e kërkimit dhe shpëtimit janë aty, makineritë e rënda nuk lejohen", tha Ching Ming Chang, drejtor i shoqatës së inxhinierisë civile".

Katër të mbijetuar u shpëtuan të hënën, përfshi një vajzë tetë vjeçare që kaloi më shumë se 60 orë e bllokuar në rrënoja.

Dhjetra ndërtesa u shkatërruan ose u dëmtuan dhe u shpallën të pasigurta pas tërmetit me magnitude 6.4 të shtunën.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit John Kirby u tha gazetarëve të hënën se Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar do të japë një grant prej 500,000 dollarësh për Kryqin e Kuq Tajvanez.