Shteti i Teksasit tha të martën se ka ngritur padi në Gjykatën e Lartë kundër shteteve Xhorxhia, Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin, duke i quajtur të paligjshme ndryshimet e bëra nga këto shtete në procedurat e zgjedhjeve për shkak të pandemisë.
Padia, e njoftuar nga Prokurori i Përgjithshëm republikan i Teksasit Ken Paxton, synon të ndihmojë Presidentin Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve.
Padia u paraqit drejtpërdrejt në Gjykatën e Lartë, në formën e lejuar për çështje të caktuara gjyqësore midis shteteve. Gjykata e Lartë ka një shumicë konservatore 6-3 dhe përfshin tre gjyqtarë të emëruar nga Presidenti Trump.
Padia në fjalë është një tjetër përpjekje ligjore që synon të përmbysë humbjen e presidentit republikan ndaj presidentit të zgjedhur demokrat Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Teksasi i qeverisur nga republikanët akuzon zyrtarët e zgjedhjeve në të katër shtetet se dështuan të mbronin nga manipulimet votimin me postë, duke zvogëluar sipas tij "peshën e votave të hedhura në shtetet që respektojnë ligjërisht strukturën zgjedhore të përcaktuar në Kushtetutë".
Zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve kanë thënë se nuk kanë gjetur prova të një mashtrimi në shkallë të tillë sa që të ndryshonte rezultatet. Për shkak të pandemisë, pati një rritje të votimit me postë, pasi shumë amerikanë qëndruan larg vendeve të votimit për të shmangur infektimet me COVID-19.
Teksasi po kërkon që Gjykata e Lartë të bllokojë votat e Kolegjit Zgjedhor në të katër shtetet - gjithsej 62 vota – që ato të mos numërohen. Zoti Biden ka marrë 306 vota elektorale, më shumë se sa 270 që ishin të nevojshme, krahasuar me 232 për zotin Trump, ndërsa fitoi gjithashtu votën popullore në shkallë vendi me 7 milion vota më shumë se rivali i tij.
Teksasi gjithashtu po kërkon që Gjykata e Lartë të shtyjë afatin e 14 dhjetorit, dita kur Kolegji Zgjedhor do të mblidhet për të votuar.
Paul Smith, profesor i fakultetit juridik të Universitetit Georgetown, tha se Teksasi nuk ka bazë ligjore për të ngritur padinë.
"Nuk ka asnjë mënyrë të mundshme që shteti i Teksasit të ankohet rreth mënyrës se si i numëruan votat shtetet e tjera dhe se si do t’i hedhin ato votat e tyre elektorale", tha profesor Smith.
Gjykata e Lartë nuk është e detyruar ta marrë në shqyrtim çështjen dhe ka thënë në vendimet e mëparshme se "juridiksioni i saj" që lejon ngritjen drejtpërdrejt përpara saj të çështjeve gjyqësore midis shteteve, duhet të përdoret në mënyrë të kursyer.