Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry akuzoi sot Sirinë se “ishte e qartë që po përpiqej të sabotonte” bisedimet e paqes së ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara që kishin si objektiv që t’u jepej fund pesë vjetësh luftë civile në vend duke kërkuar që të mos kishte asnjë diskutim për heqjen nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad.
Kryediplomati amerikan tha se dhuna në vendin e shkatërruar nga lufta është “reduktuar ndjeshëm” 80 deri në 90 për qind që kur u shpall armëpushimi para dy javësh. Por ai tha se “shkelësi kryesor” i armëpushimit ishte regjimi i Assadit.
Zoti Kerry foli pasi u takua me homologët e tij nga Britania, Franca, Gjermania dhe Italia sot në Paris lidhur me krizën siriane, një ditë para fillimit të bisedimeve të OKB-së në Gjenevë.