Në qytetet e rrethuara të Sirisë, të mërkurën filloi evakuimi i banorëve. Procesi i evakuimit ishte pezulluar që nga e shtuna, kur një sulm me bombë shkaktoi të paktën 126 të vrarë.
Media shtetërore siriane dhe grupi me seli në Britani Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut thanë se nga qytetet Foua dhe Kfarya nën kontrollin e qeverisë, të cilat kanë qenë të rrethuara nga forcat rebele, u nisën autobusë me rreth 3 mijë njerëz.
Autobusë të tjerë transportuan disa qindra njerëz nga rajonet nën kontrollin e rebelëve, Madaya dhe Zabadani, të cilat mbahen të rrethuara nga forcat pro-qeveritare.
Evakuimi i njerëzve është duke u kryer si pjesë e një marrëveshjeje të arritur muajin e kaluar.
Sulmi me bomba i së shtunës goditi autobusë që po transportonin banorë nga rajonet pro-qeveritare dhe shumica e të vrarëve ishin të evakuuar.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së e dënoi sulmin përmes një deklarate, duke e cilësuar atë “një sulm barbar”, vepër e frikacakëve.