Të premten grupi Shteti Islamik u dëbua nga dy qytetet e fundit kryesorë që kishte nën kontroll, përgjatë kufirit siriano-irakian, pas sulmeve të forcave në të dy anët e kufirit, pranë Luginës së Eufratit.
Forcat siriane e filluan sulmin ndaj Deir Ezzor-it në shtator, pasi qyteti kishte qenë nën kopntrollin e ISIS-it për rreth tre vjet. Njësitë e ushtrisë siriane tani janë duke kërkuar në se kanë mbetur mina dhe lëndë të tjera shpërthyese nga xhihadistët, gjatë ikjes së tyre.
Media shtetërore në Siri tha më parë se forcat e armatosura të vendit së bashku me ato aleate morën kontrollin e plotë të qytetit lindor Deir al-Zor nga grupi Shteti Islamik.
Një burim anonim i ushtrisë siriane i tha agjencisë Reuters se "Forcat e armatosura, në bashkëpunim me forcat aleate, e çliruan plotësisht qytetin
Deir al-Zor nga organizata terroriste "Daesh", akronimi në arabisht për Shtetin Islamik.
Deir al-Zor është qendër e prodhimit të naftës në Siri dhe qyteti më i rëndësishëm lindor i vendit.
Në anën irakiane të kufirit, trupat morën kontrollin e Al-Qaim-it brenda disa orëve pasi kishin marrë kontrollin e një pike kufitare pranë. Kryeministri irakian Haider Abadi i vlerësoi trupat për përpjekjet e tyre për të siguruar qytetin, në një periudhë që ai e cilësoi “kohë rekord”.
Operacioni për rimarrjen e Al-Qaim-it filloi disa ditë më parë. Koalicioni nën udhëheqjen amerikane në Irak e ka quajtur ofensivën “lufta e fundit më e madhe”, ndërsa forcat irakiane kanë rimarrë kontrollin e më tepër se 90 për qind të territorit të marrë nga ISIS në vitin 2014.
Në rajonin përreth Al-Qaim-it, sipas ushtrisë amerikane, kanë mbetur ende rreth 1,500 luftëtarë të ISIS-it.