Një varg shpërthimesh në dy qytete bregdetare siriane, lanë pas vetes mbi 100 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas televizionit shtetëror sirian dhe vezhguesve të të drejtave të njeriut, katër bomba, përfshirë të paktën një sulm vetëvrasës, shpërthyen në Jableh, një fortesë qeveritare në bregun e Detit Mesdhe.
Agjencia shtetërore siriane, SANA, tha se tri raketa u hodhën në Jableh, duke goditur stacionin e autobuësve në hyrje të qytetit. Të paktën 53 veta u vranë sipas Observatorit Sirian të të drejtave të njeriut.
Tri bomba të tjera, nga të cilat të paktën njëra ishte sulm vetëvrasës, goditën qytetin Tartus, rreth 60 kilometra në jug të qytetit Jableh, në atë që kreu i observatorit, Rami Abdel Rahman e cilësoi “sulm të pashembullt”.
Sërish sulmuesit qëlluan një stacion të ngarkuar autobusësh, njoftoi agjencia SANA. Të paktën 48 veta humbën jetën, sipas veprimtarit Rahman.
Një agjenci lajmesh e lidhur me grupin Shteti Islamik, tha se sulmet ishin kryer nga ekstremistët islamik.
“Sulmet nga IS-i goditën tubimet e alawitëve në Tartus dhe Jableh, në bregun sirian” shkroi agjencia Amaq, duke ju referuar pakicës së cilës i takon presidenti Bashar al-Assad.