Siri, akuza të ndërsjella për një sulm me lëndë kimike

Media shtetërore në Siri dhe organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat Njeriut, me seli në Britani, thonë se në qytetin e Alepos u shtruan në spital rreth 100 vetë, që ankoheshin për vështirësi në frymëmarrje, skuqje të syve dhe të dridhura. 94 prej tyre janë trajtuar dhe 31 të tjerë vazhdojnë të mbahen në spital.

Rusia, që mbështet qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad, tha se beson që forcat rebele kanë hedhur klor me raketa dhe se Minsitria ruse e Mbrojtjes ka kryer sulme ajrore ndaj rebelëve, për t’u hakmarrë.

SANA, Agjencia Shtetërore e Lajmeve e Sirisë, njoftoi se të dielën në Aleppo, 107 persona u lënduan pasi militantët në rajonin e Idlibit qëlluan me raketa, që me sa duket përmbanin klor.

Por zyrtarët e forcave rebele, që njihet si Fronti për Çlirim Kombëtar i mohuan akuzat, duke thënë se Siria përpiqet të mashtrojë, duke dhënë njoftime të rreme për ta.

Ministria e Jashtme e Sirisë i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që të marrë masa kundër cilitdo që ka kryer sulmet, duke i cilësuar ato krime terroristësh.

Perëndimi e ka akuzuar Damaskun për përdorimin e armëve kimike në disa raste, një akuzë që qeveria e Sirisë e ka mohuar.