Sulmohen punëtorët e angazhuar nga USAID-i në veri të Kosovës

Sulmohen punëtorët e angazhuar nga USAID-i në veri të Kosovës

Dhjetëra punëtorë që po punonin në kuadër të një projekti të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtarë, janë sulmuar sot në veriun e Mitrovicës nga një grup serbësh të maskuar. Policia tha se tre nga punëtorët janë rrahur rëndë derisa po pastronin një pjesë të lumit Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës, në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Ambasada amerikane në Prishtinë e dënoi ashpër këtë incident. Në një komunikatë për opinion thuhet se ambasada e dënon fuqimisht sulmin dhe dhunën e sotme të drejtuar kundër grupit shumetnik të 41 punëtorëve të përfshirë në projektin për përmirësimin e jetës së komuniteteve në Mitrovicën veriore. Viktimat e sulmit ishin Serb dhe Shqiptarë të Kosovës, Boshnjak dhe të tjerë. Të gjithë ata ishin thjesht qytetarë të rëndomtë të cilët punonin për kafshatën e gojës, thuhet në komunikatë në të cilën nënvizohet se sulmi është kryer nga personat të cilët ndjekin agjendën politike të së kaluarës dhe të cilët minojnë mirëqenien publike dhe të drejtën e njerëzve për të fituar bukën e gojës dhe për të përmirësuar ekonominë dhe jetën komunitetit.

Incidenti i sotëm pasoi dhunën e djeshme në veri, që la pas vetes 11 të plagosur, nga të cilët katër pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe gjashtë protestues serb. Forcat e NATO-s thanë se dhuna pasoi kundërshtimin e protestuesve serb ndaj përpjekjeve për të mënjanuar barrikadat e vendosura në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Paqeruajtësit thanë se u detyruan të përdorin forcën në vetëmbrojtje nga sulmet e protestuesve që hodhën mjete shpërthyese ndaj trupave të KFOR-it.

Beogradi ndërkaq kritikoi praninë ndërkombëtarë për nxitje të dhunës. Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën Oliver Ivanovic, tha se KFOR-i ka përdorur forcë të paarsyeshme mbi protestuesit serb. “Incidenti i djeshëm ndërmjet KFOR-it dhe demonstruesve paqësorë është diçka që ne duhet ta harrojmë. Shpresoj se KFOR-i do të vendosë komunikim të rregullt më udhëheqësit lokal në mënyrë që të shtendoset situata dhe të krijohet hapësira për një forme të bisedimeve politike”, tha Oliver Ivanovic. Banorët serbë në Mitrovicë fajësojnë amerikanët që janë pjesë e KFOR-it për dhunën e djeshme bashkë me ushtarakët gjerman.

Por, zyrtarë të KFOR-it thanë se ishin grupe dhe individë serb që nxitën dhunën e djeshme ndërsa u zotuan se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet e përcaktuara me mandatin e tyre për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë. Dhuna është dënuar edhe nga Bashkimi Evropian, I cili u ka shprehur mbështetje të plotë KFOR-it dhe EULEX-it në përpjekjet për vendosjen e qetësisë në veri. Dhuna u dënua sot edhe nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i cili e quajti të papranueshëm çdo sulm ndaj pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

“Dhuna nga ana e Qeverisë së Republikës Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë e dënueshme. Sot në emër të qeverisë, institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, i ftoj qytetarët serbë atje që të tregojnë vullnetin e tyre më të mirë për bashkëpunim, për integrim, vullnetin për jetë të re, demokratike, për ndërtimin e Kosovës të re të përbashkët”, ka deklaruar Thaçi...

Që nga 16 qershori rrugët e veriut janë bllokuar nga barrikadat e vendosura nga serbët në shenjë pakënaqësie me praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në atë zonë. Ata kërkojnë largimin e tyre nga vendkalimet kufitare, një kërkesë kjo e cila është hedhur poshtë edhe sot nga qeveria e Kosovës.