Zyrtarë të policisë së Kosovës thanë se një patrullë e saj është sulmuar me armë zjarri në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, por sulmi ka kaluar pa pasoja në njerëz.
Policia tha se të paktën tre persona qëlluan më armë mbi patrullën e policisë, e cila nuk ka arritur të identifikojë sulmuesit. Rasti është cilësuar si tentim vrasje dhe aktualisht po zhvillohen hetime për të zbardhur incidentin që është i dyti brenda kësaj jave në veriun e Kosovës.
Dy ditë më parë, një bombë dorë është hedhur në makinën e një oficereje të policisë në veri. Sulmi që la dëme materiale, kaloi pa pasoja në njerëz. Makina i takonte një zyrtareje të policisë të komunitetit serb që pritej të gradohej në një post më të lartë, sipas urdhërave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Serbët në atë pjesë të Kosovës, kanë refuzuar ndryshimet e paralajmëruara në strukturën e policisë, që janë një përpjekje e Prishtinës për të shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen institucionet e Kosovës.