Studimi “Pakica shqiptare në Mal të Zi-midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit” vlerësohet si tejet i rëndësishëm për opinionin në Mal të Zi, pasi për herë të parë në mënyrë statistikore paraqitet efikasiteti, por edhe dështimet e partive politike shqiptare në parlamentin dhe qeverinë e Malit të Zi.
Analistët vlerësojnë se studimi paraqet një bazë shpjeguese për bashkëpunimin e partive të pakicave dhe për ndikimin e tyre në jetën politike në Mal të Zi.
Një studim për shqiptarët në Mal të Zi ofron një qasje të re lidhur me pjesëmarrjen dhe ndikimin e pakicave në qeveri dhe në administratën publike.
Autori i librit, Allmir Çausheviqi analizon pjesëmarrjen e partive politike shqiptare në bashkëqeverisjen në Mal të Zi dhe aktivizmin e tyre në këtë drejtim.
“Nga cikli në cikël janë nënshkruar marrëveshje të reja, të cilat vetëm janë rinovuar dhe nuk ka pasur diçka të re. Përqendrimi në veprimtarinë që nga viti 1998 deri në vitin 2016 tregon për disa ligje për avancimin e pakicës shqiptare siç janë formimi i Komunës së Tuzit, Ligji për simbolet kombëtare etj. Dhe nëse e shohim se Komuna e Tuzit,e cila ishte një problem më vete, është zgjidhur pas 20 viteve dhe nëse në zgjidhjen e çdo problemi duhet të priten kaq vite, atëherë kjo e sinjalizon edhe situatën e shqiptarëve në Mal të Zi “, thotë zoti Çausheviqi.
Edhe analisti i njohur malazez, Boris Raoniq e vlerëson këtë studim, i cili sipas tij, jep të dhëna të mira për problemet aktuale të pakicës shqiptare në Mal të Zi.
“ Studimi “Pakica shqiptare në Mal të Zi- midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit”, është tejet i rëndësishëm për lexuesin pasi për herë të parë në mënyrë statistikore tregon për efikasitetin e partive politike shqiptare në bashkëqeverisjen e Malit të Zi”, thotë Raoniq.
Ai vë në dukje të dhënat shqetësuese ku vetëm një përqindje tejet e vogël e kërkesave të shqiptarëve janë realizuar në parlamentin dhe qeverinë e vendit.
Botuesi dhe analisti Ismet Kallaba vlerëson se libri ka një rëndësi të veçantë në trajtimin e veprimtarisë politike të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Është një libër me rëndësi të veçantë, sepse është një studim që në mënyrë të thelluar e trajton çështjen e përfaqësimit të partive politike shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, si dhe veprimtarinë politike të përfaqësueseve shqiptarë në përgjithësi”, tha zoti Kallaba.
Studimin e vlerësoi edhe profesori i njohur austriak Florian Bieber, i cili në parathënien e librit vuri në dukje se autori “jep kontribut me vlerë për debatet e ardhshme në lidhje me pjesëmarrjen efikase të shqiptarëve dhe pakicave të tjera në sistemin politik të Malit të Zi”.