S&P: Vendimi për uljen e klasifikimit të kreditit të SHBA bazohet mbi kriteret

  • Zëri Amerikës

S&P: Vendimi për uljen e klasifikimit të kreditit të SHBA bazohet mbi kriteret

Agjencia ndërkombëtare e analizimit të tregjeve Standard and Poor’s thotë se vendimi i saj për të ulur klasifikimin për kreditin e Shteteve të Bashkuara bazohej në të njëjtën analizë me 5 kritere që përdor kjo agjenci për analizimin e tregjeve të 126 vendeve të tjera.

Agjencia tha se pas analizimit të fundit rezultoi se Shtetet e Bashkuara renditeshin tani një shkallë më poshtë në dy prej pesë kritereve, ndër të cilat rreziku politik si dhe ai fiskal, përfshirë barrën e borxhit. Klasifikimi aktual i Shteteve të Bashkuara mbetet i qëndrueshëm lidhur me strukturën e përgjithshme ekonomike, rreziqet e jashtme dhe politikat monetare.

David Beers, kreu i Agjencisë Standard and Poor’s për klasifikimet, thotë se përplasjet politike lidhur me ngritjen e tavanit të borxhit dhe uljen e shpenzimeve buxhetore nxorën në pah atë që ai e cilësoi si “mjedis më i pasigurtë politik” gjë që rezultoi në uljen e klasifikimit në kriterin e rrezikut politik. Ai tha se parashikimet që borxhi i qeverisë amerikane do të rritet me 20 trilionë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm bënë që agjencia të ulte klasifikimin edhe në kriterin rrezikut fiskal të tregut.