SHBA, avioni bën ulje emergjente, një e vdekur

Një grua humbi jetën dhe shtatë persona u plagosën gjatë incidentit me një avion të kompanisë Southwest Airlines, i cili bëri ulje emergjente në aeroportin e Filadelfias për shkak se njëri prej motorëve pushoi së funksionuari.

Zyrtarët e Bordit të Sigurisë Kombëtare të Transportit nuk thanë arsyen e saktë për të cilën humbi jetën udhëtarja në bordin e avionit.

Por dëshmitarë të ngjarjes thanë se disa pjesë të motorit goditën një dritare dhe udhëtarja në fjalë pothuajse u thith nga forca e ajrit përpara se pilotët të realizonin uljen emergjente.

Avioni Boeing 737 u ul me mbulesën e njërit prej motorëve të çarë.

Southwest Airlines tha se në bord ishin 143 udhëtarë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit.

Njëri nga udhëtarët, Marty Martinez, hodhi një shënim të shkurtër të Facebook Live duke mbajtur në dorë një maskë oksigjeni. Ai shkruante: “Diçka nuk po shkon mirë në avion! Duket se po rrëzohemi! Ulje emergjente!!”

Pas uljes së avionit, ai postoi fotot e një dritareje të dëmtuar pranë motorit.

Aeroporti i Filadelfias shkroi twitter se avioni me numër fluturimi 1380 që udhëtonte nga aeroporti LaGuardia i Nju Jorkut për në Dallas “u ul pa probleme në Filadelfia,” por nuk dha hollësi të tjera.