ShBA, sulm ajror në Somali, vritet një terrorist

Ushtria e ShBA njoftoi të hënën se një terrorist u vra gjatë një sulmi ajror në Somali të kryer nga forcat amerikane në koordinim me qeverinë e Somalisë.

Sulmi kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik u krye rreth orës 3 të mëngjesit në verilindje të Somalisë, thuhet në një deklaratë të Komandës amerikane për Afrikën.

"Forcat amerikane do të vazhdojnë të përdorin të gjitha masat e autorizuara dhe të duhura për të mbrojtur qytetarët e SHBA dhe për të neutralizuar kërcënimet terroriste. Operacionet e kombinuara kundër terrorizmit kanë në shënjestër terroristët, kampet e trajnimit dhe vendstrehimet e tyre në të gjithë Somalinë dhe në rajon", thuhet në deklaratë.

Goditja e së hënës e çon numrin e përgjithshëm të sulmeve ajrore të SHBA në Somali këtë vit në 30 dhe 28 prej tyre kanë qenë kundër grupit al-Shabab. Ai është sulmi i dytë ndaj luftëtarëve të Shtetit Islamik këtë muaj.

Intensifikimi i sulmeve ajrore dhe luftimet e reja midis forcave qeveritare dhe militantëve kanë detyruar mbi 10,000 njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre në Somali, sipas Këshillit Norvegjez për Refugjatët.