Çështja e strehimit të Snowdenit

Një deputet me ndikim i parlamentit rus, i cili shpesh flet në emër të Kremlinit, e inkurajoi ish-kontraktorin e zbulimit amerikan Edward Snowden të pranojë ofertën e Venezuelës për t'u strehuar atje.

Alexei Pushkov, i cili drejton komisionin për çështjet ndërkombëtare në parlamentin e Rusisë, ka publikuar mesazhe të shumta në Twitter për çështjen në fjalë, duke përfshirë edhe një mesazh sot ku thotë se "Venezuela po pret një përgjigje nga Snowden dhe ky është ndoshta shansi i tij i fundit për të marrë strehim politik''.

Snowden besohet se ndodhet ende në zonën e tranzitit të aeroportit Sheremetievo të Moskës pas arritjes atje me avion nga Hong Kongu dy javë më parë. Ai e ka patur të pamundur të udhëtojë më tej, sepse Shtetet e Bashkuara ia kanë anuluar pasaportën.

Nuk është e qartë se si 30-vjeçari Snowden, i cili ka nxjerrë hollësitë e programeve sekrete amerikane të përgjimit, mund të udhëtojë në ndonjërin prej vendeve të Amerikës Latine, që i kanë ofruar strehim.

Autoritetet amerikane kërkojnë ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara për ta nxjerrë në gjyq nën akuzat për spiunazh.