Situata në terren në Ukrainën lindore

Qeveria ukrainase thotë se forcat e saj ushtarake kanë arritur sukses në lindje të vendit gjatë ditëve të fundit, por në terren, separatistët e armatosur prorusë ende duket se kontrollojnë një pjesë të madhe të rrugës mes Donetskut dhe Slovyanskut. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Patrick Wells nga Kramatorsku, një qytet pranë Slovjanskut, civilët thonë se kanë frikë nga të dyja palët në konflikt, por shtojnë se janë gjithnjë e më të zemëruar me veprimet ushtarake të qeverisë së Kievit.

Kjo është hyrja e Kramatorskut, një qytet për të cilin qeveria ukrainase thotë se kontrollon pjesën më të madhe. Separatistët pohojnë se forcat qeveritare hynë aty të dielën, gjatë rrugës së tyre për të rrethuar Slovyanskun, duke qëlluar kundër pikave të kontrollit të prorusëve dhe duke pastruar disa prej tyre.

Por trupat qeveritare nuk kanë qëndruar për të konsoliduar përparimin e tyre dhe në terren është e qartë se separatistët prorusë kanë sërish kontrollin e pjesës më të madhe të kësaj zone.

Në autostradën 112 kilometra të gjatë mes Donetskut dhe Slovyanskut, korrespondenti i Zërit të Amerikës pa vetëm dy pika kontrolli të qeverisë. Pjesa tjetër e rrugës dominohej nga rebelët, shumë prej të cilëve janë të armatosur rëndë.

Në qendër të qytetit Kramatorsk, barrikadat qëndrojnë ende të ngritura dhe ruhen nga burra me shkopinj dhe shufra hekuri të cilët thonë se janë thjesht vendas që po përpiqen të mbrojnë tokën e tyre.

"Ushtria ukrainase ka ardhur në Kramatorsk. Ata duan të pastrojnë qytetin. Askush nuk po i lufton, askush nuk po qëllon kundër tyre. Njerëzit thjesht po qëndrojnë këtu duke kërkuar një referendum, ndërsa ata duan të qëllojnë me armë," thotë një nga separatistët prorusë.

Por disa njerëz të tjerë, të cilët nuk lejuan të filmoheshin prej frikës, akuzojnë këta persona se janë kriminelë të vegjël lokalë, të paguar nga Rusia dhe bashkëpunëtorët e presidentit të rrëzuar ukrainas Viktor Yanukovytch.

Të gjendur midis dy palëve kundërshtare, shumë civilë ecën në rrugët e qeta duke kaluar pranë makinave dhe tramvajeve të djegur dhe u rreshtuan pranë bankomateve për të marrë para, të cilat tani po pakësohen.

Pensionistja Lyudmila Sytnik thotë se ajo e përçmon qeverinë e re në Kiev, por ka frikë edhe nga separatistët:

"Duhet të kaloj nëpër shumë pika kontrolli dhe kemi frikë se ata djem me armë do të mund të na marrin makinën. Ata nuk është se vetëm qëndrojnë aty, por gjithashtu qëllojnë njerëzit. Ata nuk kanë tru dhe nuk u intereson se kë qëllojnë."

Gjatë rrugës në periferi të Slovyanskut, trupat ukrainase kontrollojnë makinat për armë dhe pajisje të tjera. Por ka njoftime të shumta se qyteti nuk është vërtetë i bllokuar dhe se rebelët që i dinë rrugët e vendit mund të hyjnë e dalin lirisht.

Vendimi i Kievit për të dërguar trupa në këtë rajon duket se ka pakësuar mbështetjen ndaj qeverisë mes shumë banorëve lokalë. Disa civilë, duke përfshirë një infermiere 21-vjeçare, kanë mbetur të vrarë prej shkëmbimeve të zjarrit gjatë ditëve të fundit.

"Të gjitha këto gjëra të këqija filluan kur erdhi në fuqi qeveria e re. Kur Yanukovitch ishte në pushtet njerëzit jetonin në qetësi. Gjithçka filloi prej kryengritjes në Maidan, sheshin kryesor të Keivit."

Në këtë pikë kontrolli në Konstantinovka, separatistët, të cilët nuk pranuan të filmoheshin, qëndronin të armatosur me kallashnikovë, snajper dhe mitralozë. Në një moment, një furgon me policë lokalë kaloi pranë, por pa i kushtuar atyre vëmendje.

Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë, rajoni duket se po i rrëshqet nga duart gjithnjë e më shumë.