Ushtria siriane vazhdon sulmet në Ghoutan lindore

Ushtria siriane vazhdon sulmet e pandërprera ajrore dhe tokësore në Ghoutan lindore në përpjekje për të rimarrë këtë lagje të Damaskut të mbajtur nga kryengritësit.

Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar thanë se një autokolonë ndihmash për zonën e rrethuar nuk do të nisej të enjten siç ishte planifikuar për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Në Ghoutan Lindore, 400 mijë njerëz jetojnë në rrethim që nga viti 2013.

"OKB-ja vazhdon të marrë raporte për shkallëzimin e luftimeve në Ghoutan Lindore dhe për bombardime në Damask, të cilat rrezikojnë civilët dhe pengojnë ndihmat humanitare për qindra mijëra njerëz në nevojë, duke përfshirë mijëra fëmijë", tha Linda Tom, zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Një autokolonë me 46 kamionë arriti të dërgonte disa furnizime në një pjesë të Ghoutas lindore, por Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare e ndërprenë këtë mision për shkak të vazhdimit të dhunës vdekjeprurëse në zonë. Linda Tom tha se 10 kamionë të plotë dhe katër të pjesshëm nuk qenë në gjendje të shkarkoheshin, duke përfshirë "gjysmën e ushqimit për 27 mijë e 500 njerëz".

Luftimet në Ghoutan lindore janë shkallëzuar javët e fundit, pasi qeveria siriane, e mbështetur nga forcat ruse, i shtoi përpjekjet për të rimarrë zonën. Dhuna ka vrarë më shumë se 900 civilë, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani, i cili shtoi se forcat pro-qeveritare kanë marrë praktikisht gjysmën e territorit të mbajtur nga kryengritësit.

Rebelët kanë akuzuar trupat qeveritare siriane për përdorimin e taktikave "të tokës së djegur" dhe thanë se po përpiqen të frenojnë përparimin e tyre të mëtejshëm duke ngritur më shumë prita të stilit guerrilas.