Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike tha sot se ka gjasa që në sulmin e ndodhur në muajin shkurt në Saraqeb të provincës së Idlibit, të jetë përdorur klori.
Organizata e bazonte raportin tek intervistat me punonjësit e shëndetësisë dhe dëshmitarët, si dhe pas provave që kreu me mostrat e marra nga vendi i ngjarjes.
Në atë kohë, grupet mjekësore dhe punonjësit e ndihmës së parë njoftuan se civilët kishin shenja të dukshme të klorit, përfshirë probleme me frymëmarrjen dhe erën e gazit në rrobat e tyre.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley ka akuzuar forcat e presidentit sirian Bashar al-Assad për sulmin me armë kimike në zonën e kontrolluar nga rebelët.
Mandati i hetuesve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike shtrihet vetëm në përcaktimin nëse gjatë sulmit janë përdorur armë kimike dhe jo në identifikimin e përgjegjësve.
Qeveria siriane e ka mohuar vazhdimisht përdorimin e armëve kimike gjatë gjithë konfliktit që nisi në mars të vitit 2011.