Shumë rusë dakord me Putinin

Ndërhyrja e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë ka ngjallur shqetësim të madh për Perëndimin, por një pjesë e madhe e popullatës në Moskë është dakord me pikëpamjet e tij. Në vendin e tij zoti Putin mbetet popullor dhe ekonomia deri tani nuk ka pasur pasoja.
Presidenti rus Putin ka folur publikisht mbi krizën në Ukrainë.

"Edhe në qoftë se ne, në qoftë se unë do të vendosja të përdorja forcën, do të ishte diçka e ligjshme. ...Dhe është në interesin dhe përgjegjësinë tonë të mbrojmë ata njerëz të lidhur ngushtë me ne, historikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht.''

Këto pikëpamje i ka dhe një pjesë e madhe e popullatës në Moskë. Natalya ka të afërm në Yevpatoria, një qytet i Krimesë, si dhe një zonë ushtarake strategjike, pjesë e debateve të kësaj krize.

"Të gjithë miqtë dhe të afërmit e mi atje thonë se Krimea dëshiron të jetë pjesë e Rusisë."

Yevgeny, një tjetër banor i Moskës, është dakord me zotin Putin se qeveria e re e Ukrainës është e paligjshme:

"Është pa dyshim një problem i brendshëm i Ukrainës, por nga pikëpamja ligjore është sigurisht një ndryshim pushteti i paligjshëm."

Ndërkohë, lulet jashtë ambasadës së Ukrainës simbolizojnë lidhjet e ngushta midis Rusisë dhe Ukrainës. Por ato mund të nënkuptojnë gjithashtu solidaritet me idealet e ukrainasve që janë tani në pushtet.

Analisti rus i mbrojtjes Pavel Felgenhauer thotë se mendimet mund të ndryshojnë në qoftë se jeta në Rusi ndryshon në mënyrë drastike nën sanksione të rrepta të SHBA-së dhe BE-së.

"Rusia është shumë e integruar në sistemin financiar ndërkombëtar. Dhe sanksionet do të jetë shumë ndëshkuese nëse janë vërtet serioze."

Në tregun rus të aksioneve, Bursa e Moskës, Roman Sulzhyk thotë se konflikti ka shkaktuar vetëm një reagim të parashikueshëm me disa investitorë që kanë shitur stoqet e tyre.

"Mënyra se si bursa ruse i rezistoi shitjeve ishte mbresëlënëse. Disa aksione ranë me ndoshta 20 për qind, ndërsa indeksi kryesor me 10 për qind. Natyrisht kjo nuk është diçka e mirë për ne, por tregu rus i rezistoi shumë mirë shitjeve në masë dhe ne kemi pasur punë në nivele të mira."

Investitorët e huaj zotërojnë 40 për qind të aksioneve që shkëmbehen në Bursën e Moskës. Zoti Putin i sheh sanksionet ekonomike nga Perëndimi si tentativë për negociata shkëmbimi.

"Në botën moderne, ku çdo gjë është e ndërlidhur dhe në një farë mënyre të gjithë varen nga njëri-tjetri, sigurisht dëme mund të ndodhin, por ato do të jenë reciproke."

Dhe dëmi i ndërsjellë duket të jetë e vetmja gjë e qartë për të gjitha palët e përfshira.

"Nuk mendoj se Ukraina, pasi të riorganizohet, pasi të zhvillojë zgjedhje të ligjshme dhe pasi të riorganizojë ushtrinë e saj, do të jetë dakord që një pjesë e vendit të qëndrojë nën zgjedhën ruse. Kështu që do të vijë një moment që ata do të përgjigjen. Kjo do të thotë se ky konflikt do të vazhdojë. Putini do të jetë këmbëngulës dhe ukrainasit do të jetë këmbëngulës. Dhe Perëndimit me shumë gjasa do t’i duhet të jetë këmbëngulës," thotë analisti Pavel Felgenhauer.

Kryeneçësia dhe diplomacia nuk mund të bashkëekzistojnë. Takimi i G8-ës i planifikuar për në Soçi po shkon drejt anulimit. Njoftime nga Ukraina flasin për vullnetarë gati për të luftuar, ndërsa zoti Putin nuk ka shfaqur ende ndonjë dobësi.