Shqetësime për një ofensivë të re pranverore në Afganistan

Në perëndim dhe në jug të Afganistanit persona vetëvrasës shkaktuan vdekjen e të paktën 15 njerëzve në dy incidente, duke shtuar shqetësimet për një ofensivë të re pranverore nga ana e kryengritësve.

Zyrtarët thonë se të paktën 11 vetë u vranë, duke përfshirë tre policë, nga një makinë-bombë jashtë një ndërtese të pushtetit lokal në afërsi të kryeqytetit të provincës Herat.

Militantët, të cilët ishin duke u ndjekur nga policia, e shpërthyen eksplozivin pasi iu kërkua të ndalnin makinën në një rrugë pranë aeroportit. Të paktën 23 njerëz u plagosën.

Disa orë më vonë, zyrtarët në provincën jugore Helmand njoftuan se të paktën katër policë u vranë kur tre persona sulmuan një kompleks policie. Dy nga personat arritën ta shpërthejnë eksplozivin ndërsa i treti u qëllua për vdekje nga policia.