Shtëpia e Bardhë: Shkurtimet buxhetore "tepër të dëmshme"

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi për të paktën 109 miliardë dollarë në shkurtime automatike shpenzimesh në fillim të vitit të ardhshëm
Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se të paktën 109 miliardë dollarë në shkurtime automatike shpenzimesh në fillim të vitit të ardhshëm do të ishin "tepër të dëmshme" për sigurinë kombëtare dhe programet qeveritare bazë.

Shkurtimet buxhetore u autorizuan në vitin 2011 si pjesë e një marrëveshjeje për reduktimin e deficitit, e cila u arrit nga Kongresi dhe bënte thirrje për krijimin e një "superkomisioni" për të rënë dakord mbi shkurtimin e deficiteve buxhetore të qeverisë federale. Por komisioni nuk arriti të vendoste se çfarë shkurtimesh duhet të bëhen apo nëse duhen ngritur taksat si pjesë e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse.

Si rezultat, shkurtimet automatike mund të hyjnë në fuqi më 1 janar, gjë që nuk mbështetet as nga republikanët, që përbëjnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe as nga demokratët, që kontrollojnë Senatin. Ligjvënësit do ta trajtojnë këtë çështje nga fundi i vitit, por jo përpara zgjedhjeve presidenciale dhe për në Kongres të 6 nëntorit.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë tha dje se nëse Kongresi nuk arrin një marrëveshje, do të ketë një shkurtim prej 9.4 për qind të programeve të mbrojtjes dhe një shkurtim prej 8.2 për qind të programeve të brendshme.