Shtefan Fyle: Serbia duhet të bëjë më shumë përparim me Kosovën

Shtefan Fyle: Serbia duhet të bëjë më shumë përparim me Kosovën

Komisionieri i Bashkimit Evropian Shtefan Fyle tha se Serbia duhet të bëjë më shumë përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por se pranimi i pavarësisë së saj nuk është kusht për antarësimin e Serbisë në BE.

Komisionieri Fyle u takua dje me ministrin e jashtëm të Serbisë Vuk Jeremiç në Bruksel për të diskutuar përpjekjet e Beogradit për të filluar negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Ai i tha ministrit Jeremiç se asnjë vend i BE nuk është i gatshëm të pranojë anëtarë të rinj të cilët kanë probleme të pazgjidhura me fqinjët e tyre.

Kosova ka deklaruar pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Shumë vende, përfshirë shumicën e vendeve të BE-së dhe Shtetet e Bashkuara kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Udhëheqësit serbë janë betuar se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe kanë theksuar se disa vende të BE-së përfshirë Spanjën, Greqinë, Sllovakinë dhe Rumaninë nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Por Beogradi ka rënë dakord të zhvillojë bisedime me Prishtinën mbi normalizimin e marrdhënieve pa prekur çështjen e statusit.

Duke folur para gazetarëve dje, komisionieri Fyle shprehu shpresën se do të ketë rezultate reale nga këto bisedime në javët e ardhshme.

Ministri i jashtëm serb u tha gazetarëve se Serbia duhet të përmbushë një numër kriterësh dhe kushtesh për të marrë një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.