Në qershor Shqipëria do të mësojë nëse Bashkimi Evropian do të vendosë për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Por po në muajin qershor në Shqipëri janë planifikuar të zhvillohen zgjedhjet lokale dhe ndoshta pa pjesëmarrjen e partisë kryesore të opozitës. Ndërsa këto dy ngjarje afrohen, në vend po rritet paqëndrueshmëria politike.
Your browser doesn’t support HTML5
Protesta të përjavshme në rrugët e Tiranës ndërsa Bashkimi Evropian përgatitet të marrë vendim nëse do të hapë bisedimet për ta pranuar Shqipërinë si anëtare të re.
Protestat janë bërë të zakonshme që kur partia kryesore e opozitës u largua nga parlamenti në muajin shkurt.
Partia Demokratike thotë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të qershorit, pa dorëheqjen e kryeministrit dhe formimin e një qeverie tranzicioni.
"Kërkojmë dorëheqjen e Kryeministrit Rama, një qeveri tranzicioni të përbërë nga socialistë që nuk janë të lidhur me krimin, të cilët mbi të gjitha do t'i zgjidhnin duart prokurorëve që të vendosnin përpara drejtësisë politikanët të cilët janë kapur duke vjedhur zgjedhjet e vitit 2017, si dhe do të punonin me opozitën për të çuar përpara reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi”, thotë Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria e tij ka bërë shumë përparime lidhur me reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit, korrupsionit dhe trafikut të drogës.
Ai thotë se i takon opozitës të vendosë nëse do të marrë pjesë ose jo, në zgjedhjet e qershorit.
"Ne jetojmë në një vend të lirë, sigurisht që nuk është ende një demokraci e konsoliduar, por ne jemi të fortë sa duhet që jo thjesht vetëm ta kuptojmë, por edhe të sillemi bazuar në parimin sipas të cilit zgjedhjet janë për të gjithë", thotë zoti Rama.
Ndërkohë ka shqetësime se përshkallëzimi i trazirave politike do të dëmtonte përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në BE.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijancic i tha Zërit të Amerikës se pavarësisht tensioneve aktuale politike "Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme në të gjitha fushat".
Por ajo shtoi se vendimi i opozitës "për të dorëzuar mandatet pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe minon progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian".
Kur mbeten më pak se tre muaj nga zgjedhjet lokale, pjesëmarrja e Partisë Demokratike, opozitës kryesore të vendit, është e paqartë dhe njerëzit pyesin se sa legjitime do të ishin këto zgjedhje në këtë rast."
Udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha thotë se nuk është marrë ende një vendim përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje.
Duket se e ardhmja politike e Shqipërisë dhe rruga e saj drejt Bashkimit Evropian, tani për tani, do të vazhdojë të jetë e pasigurt.