Shqipëri, 5 viktima të tjera dhe 273 të infektuar nga COVID-19

Sot në Shqipëri u regjistruan edhe 5 vdekje të tjera nga COVID-19 dhe 273 infektime të reja.

Ky është një tjetër rekord i ri i përhapjes përherë e më të madhe të sëmundjes në Shqipëri.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, shtohen rastet me COVID

Ndërkohë, qeveria po shtrëngon rregullat, duke detyruar qytetarët të mbajnë maska edhe në mjedise të hapura publike.

Ndërsa opozita, thotë se përveç gjobave, qeveria nuk po bën asgjë tjetër për të ndihmuar qytetarët.

Covid-19 u ka marrë sot jetën edhe 5 shtetasve të tjerë shqiptarë, ndërsa 273 të tjerë u infektuan gjatë 24 orëve të fundit.

Në dy spitalet Covid janë të shtruar 259 pacientë. Qeveria ka vendosur që maskat do të mbahen me detyrim deri në fund të dimrit.

Patrullat e policisë po këshillojnë mijëra qytetarë dhe po gjobitin disa qindra me shuma nga 30 deri në 50 dollarë, të cilat pritet të mbërrijnë në shtëpi bashkë me faturat e energjisë elektrike.

Opozita thotë se përvec gjobave dhe detyrimit të qytetarëve për të reduktuar lëvizjet dhe pë të mbajtur maska, qeveria nuk po zbaton asnjë plan për të ndihmuar shtresat në nevojë, punëtorët që po humbin vendet e punës dhe bizneset që po vazhdojnë veprimtarinë pa fitim.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, tha se kriza aktuale është e dyfishtë; shëndetësore dhe ekonomike, ndaj qeveria duhet t’u kthejë qytetarëve në formë ndihme ato para që u mbledh nga taksat.

Ai kërkoi mbulim të plotë financiar për pacientët që kurohen në shtëpi, si dhe shpërblime dhe mbrojtje më të mirë për mjekët e pavionit dhe të familjes.

Sot është dita e tretë me maska të detyruara në mjediset publike të Shqipërisë për t’u mbrojtur nga Covid-19 dhe vihet re përsëri një rënie e përdorimit të tyre.

Ditën e parë ishte maksimumi i përdorimit të maskave gjatë gjithë pandemisë, ndërsa shifrat ditore të përhapjes së infektimit sa vijnë e rriten me mbërritjen e stinës së vjeshtës.

Numri i infektimeve është rritur ndjeshëm ditët e fundit. Nga marsi deri sot kanë humbur jetën 448 persona dhe janë infektuar afro 17 mijë qytetarë.